Lajmet e fundit
U promovua doracaku Procesi ligjvënës në Kosovë
E Mërkure, 05.12.2012
Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme për çështje ligjore dhe procedurale të Kuvendit të Republikës së Kosovës, promovuan sot doracakun me titull "Procesi ligjvënës në Kosovë", në të cilën ceremoni morën pjesë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kryetarë të komisioneve parlamentare, deputetë, Sekretari i Kuvendit, z. Ismet Krasniqi, zyrtarë të Administratës së Kuvendit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Gjatë këtij promovimi u theksua se ky doracak ofron një pasqyrë shumë të mirë të procesit ligjvënës në Kosovë, duke filluar nga momenti i nismës legjislative, deri tek nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e ligjeve.
Në ceremoninë e këtij doracaku, një fjalë rasti mbajti edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi. Ai tha se promovimi i sotëm i doracakut për procesin ligjvënës në Kosovë është pjesë e punës dhe aktivitetit të përbashkët të Departamentit Ligjor të Kuvendit dhe Institutit Demokratik Kombëtar të SHBA-ve, si partner mbështetës i vazhdueshëm i Kuvendit të Kosovës që nga themelimi i tij.
Kreu i Kuvendit duke falënderuar NDI-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe angazhimin e tyre në Kuvendin e Kosovës, tha se ky doracak ofron përmbledhje të rregullave, proceduarve dhe praktikave që duhet të ndiqen dhe zbatohen nga kompetentët që nga draftimi i projektligjeve e deri te miratimi i tyre në Kuvend.
"Duke falënderuar NDI-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë ndihmuar në hartimin dhe draftimin e ligjeve, ne kemi miratuar një numër të caktuar të ligjeve të cilat kanë qenë të domosdoshme për funksionimin e institucioneve demokratike të shtetit, për funksionimin e institucioneve të pavarura , natyrisht edhe sa i përket të drejtave të njeriut dhe komuniteteve pakicë", theksoi kreu i Kuvendit, duke shtuar se nevojat e vendit janë akoma të mëdha për miratimin e ligjeve dhe akoma më të mëdha për zbatueshmërinë e ligjeve.
"Kjo përmbledhje integruese e rregullave procedurale e pasuruar edhe me praktika dhe standarde, domosdo do të ndikojë në ngritjen e cilësisë, profesionalizmit dhe efikasitetit të punës në trupat e Kuvendit", tha kreu i Kuvendit.
Me rastin e lansimit të doracakut për procesin ligjvënës në Kosovë foli edhe Drejtori i Programit Legjislativ të NDI-së në Kosovë, z. Alexander Chavarria. Ai tha se gjatë viteve të fundit funksioni ligjvënës ka qenë shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh nevojën e krijimit të kornizës së re ligjore në vend.
"Që nga themelimi i Kuvendit në vitin 2001, NDI ka ndihmuar udhëheqësinë, deputetët dhe zyrtarët e Kuvendit në përcaktimin e procesit ligjvënës në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Synimi ka qenë që të krijohet një proces ligjvënës i thjeshtë dhe efikas, por para së gjithash i hapur dhe transparent, për tu mundësuar shoqërisë civile dhe atyre që ndikohen nga ligjet në shqyrtim, që të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes, theksoi Chavarria duke shtuar se ballafaqimi me një numër të madh të ligjeve nuk ka qenë i lehtë dhe se procesi i shqyrtimit dhe amandamentimit të projektligjeve merr shumë kohë si dhe kërkon mbështetje adekuate profesionale. "Manuali ofron një përmbledhje të mirë të procesit ligjvënës në të gjitha fazat si dhe teknikave për hartimin legjislacionit dhe është i dobishëm për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e procesit të shqyrtimit të projektligjeve në Kuvend", tha me këtë rast z. Chavarria, duke shtuar se doracaku vë në pah edhe sfidat kryesore të procesit ligjvënës në Kosovë dhe u mundëson udhëheqësve të Kuvendit dhe deputetëve të identifikojnë të metat e këtij procesi. "Në këtë mënyrë, mund të niset edhe procesi i ndryshimit dhe reformimit të procesit ligjvënës. Manuali do të ndihmoj në avancimin e procesit ligjvënës në Kosovë", përfundoi Drejtori i Programit Legjislativ të NDI-së në Kosovë, Alexander Chavarria.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë Ligjore i Kuvendit të Kosovës, z. Daut Beqiri, tha mes tjerash se aplikimi i drejtë i këtyre udhëzimeve të këtij doracaku do të ndikojë në avancimin procesit legjislativ në vend, duke ndikuar kështu në rritjen e cilësisë së ligjeve dhe të shkallës së zbatueshmërisë së tyre në praktikë.