Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Marte, 04.12.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ahmet Isufi, raportuan ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, si dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Fillimisht ministri Rexhepi njoftoi anëtarët e komisionit lidhur me situatën në pjesën veriore të vendit, si dhe për situatën e përgjithshme në Kosovë.
Me këtë rast ai tha se muajt e fundit situata e sigurisë në vend, në përgjithësi është e qetë dhe nën kontroll, përveç pjesës veriore të vendit. Ai foli për veprimet e sotme të strukturave ilegale në Jarinjë të cilat janë zhvilluar kundër Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Ministri Rexhepi vlerësoi se Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, kanë kapacitete që të mbajnë situatën nën kontroll, ndërsa shtoi se kufijtë e Kosovës janë të sigurt, megjithëse edhe më tutje pjesa veriore është kompetencë KFOR-it.

Duke folur edhe për çështjen e përgjimeve të telefonave, theksoi se kjo çështje është dashur të rregullohet me ligj dhe se janë ndërmarrë disa veprime për hetime, duke shtuar se forma e plasimit të tyre i tejkalon normat ligjore.
"Ka pasur pengesa për Ligjin e Përgjimeve nga ana e EULEX-it, por ne e kemi paraparë që kjo është e domosdoshme dhe duhet të precizohet", theksoi ministri Rexhepi.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha me këtë rast se PK-ja është duke vazhduar me përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të cilat janë të përcaktuara në kuadër të objektivave strategjike, duke shtuar se fokus kryesor i PK-së është parandalimi i aktiviteteve kriminale. "Falë përkushtimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në këtë periudhë kemi realizuar një mori operacionesh të ndryshme që kanë rezultuar me sukses. Ndërsa, sa i përket gjendjes së sigurisë në pjesën veriore të vendit, ekziston një brishtësi në aspektin e sigurisë, e cila menaxhohet nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i", theksoi drejtori i PK-së.


Me tej, kreu i MPB-së dhe ai i PK-së, iu përgjigjën pyetjeve të shumta të anëtarëve të komisionit parlamentar për siguri.
U theksua se ministri Rexhepi po vepron në mënyrë seleksionuese dhe se këto veprime po bëhen në mënyrë politike, duke përmendur mes tjerash intervenimet e PK-së në protestat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje më 17 dhe 18 tetor 2012, si dhe protestat gjatë 28 nëntorit në përurimin e Autostradës "Rruga e Kombit".
Më tej nga ministri Rexhepi u kërkuan sqarime edhe për rastin në Dhomën e Dëshmive në Prishtinë, si dhe për atë në Pejë, e po ashtu edhe rreth suspendimit të zyrtarëve të MPB-së.

Nënkryetari i Komisionit Rexhep Selimi, kërkoi sqarime të shumta nga ministri Rexhepi, duke filluar nga ngjarjet e 17 dhe 18 tetorit gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, e deri tek rasti i pasaportave biometrike.

Ministri Rexhepi, duke u përgjigjur në pyetjen rreth këtyre protestave theksoi se në momentin kur tejkalohet niveli i dhunës, atëherë veprohet, duke theksuar se ai ka kërkuar që të lirohet lëvizja dhe të mos pengohet funksionimi i institucioneve. Në pyetjen e Selimit nëse dhuna nga ana e PK-së ka qenë e tepruar në protestat e Lëvizjes Vetëvendosje, ministri Rexhepi tha se është përdorur forca proporcionale dhe për këtë ekziston raporti e monitoruesve të EULEX-it dhe IPK-së, duke shtuar se nëse ndonjë individ e ka tejkaluar forcën, ai është nën hetime.

Sa i përket çështjes së pasaportave, disa nga anëtarët e komisionit vlerësuan se me këtë çështje është dëmtuar imazhi i Kosovës, si dhe aspirata drejt liberalizmit të vizave.

 

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së