Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti ambasadorin e Irlandës në Budapest, jo-rezident në Kosovë, z. Kevin Dowling
E Marte, 04.12.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me ambasadorin e Irlandës në Budapest, jo-rezident në Kosovë, z. Kevin Dowling. Duke e falënderuar për këtë vizitë ambasadorin Kevin Dowling, kryekuvendari Krasniqi shprehu mirënjohje të thellë për popullin dhe shtetin irlandez për mbështetjen e madhe që i ka dhënë e po i jep Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kosova është në rrugë të tranzicionit, por për nga të arriturat nuk dallon shumë nga vendet e rajonit, në aspektin shtetndërtimit. Këto rezultate janë arritur edhe në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar. Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës është mjaft moderne, e cila përkufizon denjësisht çështjen e pozitës dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, ndërsa për nga standardet e këtilla Kosova kalon kufijtë e saj, pasi ligjet e Kosovës janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së, theksoi kryekuvendari Krasniqi.
Pasi u falënderua për pritjen ambasadori z. Kevin Dowling theksoi se Irlanda është përkrahëse e fuqishme e Pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Kjo përkrahje do të fuqizohet edhe gjatë mandatit të kryesimit të BE-së nga ana e Irlandës. Ai vlerësoi lart edhe mbarë rezultatet që po arrihen në Kosovë, sidomos në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ai theksoi se në këtë aspekt Kosova përbën një model. Progresi në Kosovë në vitet e fundit, theksoi ai, është mbresëlënës. Në vijim, z. Dowling u shpreh se shteti i Irlandës do të angazhohet që edhe 5 shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë. Në këtë vështrim, ai theksoi se në rrugën e Kosovës drejt BE-së nuk duhet të ketë kurrfarë bllokade.