Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi dënon dëmtimin e objekteve në vendkalimin kufitar në Jarinjë
E Marte, 04.12.2012
Me rastin e dëmtimit të objekteve në vendkalimin kufitar në Jarinjë, nga një grup i huliganëve serbë , kryetari i Kuvendit të Kosovës , dr. Jakup Krasniqi e dënon aktin e dhunës dhe dëmtimin e objekteve në këtë vendkalim kufitar. Aktet e tilla janë tendenca për të penguar vendosjen e rendit dhe ligjit, dhe si të tilla janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë normalizimit të gjendjes në veri të vendit.
Ky veprim i strukturave ilegale është edhe kundër Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit , ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila fuqizon sundimin e rendit dhe të ligjit në vendkalimet kufitare ndërmjet dy shteteve, si dhe siguron qarkullim të lirë të qytetarëve dhe të mallrave në përputhje me normat ndërkombëtare.
Kryetari edhe njëherë thekson se strukturat ilegale, mbeturina të Millosheviqit, po e mbajnë peng stabilitetin, paqen dhe inkuadrimin e qytetarëve serbë të veriut në jetën institucionale të shtetit të Republikës së Kosovës. Kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi, bën thirrje që këto struktura të shuhen sa më parë për të ndihmuar kështu në stabilizimin e jetës në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.