Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 03.12.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetari Lutfi Haziri, u shqyrtuan dhe u përkrahën këto projektligje, me amendamentet e komisioneve funksionale, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së: Projektligji për procedurën përmbarimore, Projektligji për punimet nga metalet e çmuara, Projektligji nr.04/L-133, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-216 mbi themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, si dhe Projekt-Kodi i procedurës penale.
Në vijim të mbledhjes, kryetari i komisionit Lutfi Haziri, duke përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Evropian lidhur me marrëveshjen Stabilizim Asociimit, tha se rekomandimi i Këshillit të Ministrave është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i dobishëm në këtë kohë dhe kjo çështje do të shqyrtohet nga të gjitha institucionet e vendit dhe nga vetë deputetët.
"Është një rezolutë e cila i jep shtytje marrëveshjes së MSA-së për Kosovën dhe vendimit të Këshillit të Ministrave që pritet të ndodh më datën 17 dhjetor të këtij viti", theksoi Haziri.