Lajmet e fundit
Seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Premte, 30.11.2012
Me rastin e shpalljes së pafajësisë së ish- kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, nga Tribunali i Hagës, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancë solemne, në të cilën kanë mbajtur fjalë rasti Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, si dhe ish-Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj.
Fillimisht, kryetari i Kuvendit dr. Jakup Krasniqi, tha se ka nderin që të hap këtë seancë solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në nderim të zotërinjve Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, të sapokthyer nga një proces i mundimshëm dhe i gjatë i drejtësisë në Hagë.
Kryeparlamentari Krasniqi tha se vendimi i djeshëm i Tribunalit të Hagës, me të cilin u shpallën të pafajshëm luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shtoi bukurinë dhe madhështinë kremtes kombëtare të Flamurit dhe Pavarësisë.
"Ashtu sikurse akuzat që rëndonin mbi ta, edhe dimensioni i triumfit të drejtësisë kalon natyrshëm kornizat e ngushta individuale dhe familjare. Pretendentët e inicimit të këtyre proceseve inkriminuese janë motivuar, jo aq shumë për të gjykuar dhe dënuar fajet individuale, siç e do drejtësia, por për të njollosur e dënuar një ushtri të tërë dhe një luftë të një populli për liri dhe dinjitet njerëzor.
Duke u ndodhur para drejtësisë, luftëtarët e lirisë, kanë mbrojtur veten e tyre, por edhe pastërtinë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rikonfirmimi i pafajësisë së tyre, ishte dhe do të jetë njëkohësisht një dëshmi më shumë për Luftën tonë të drejtë e në përputhje me ligjet ndërkombëtare, për idealet e dëlira dhe të shenjta të popullit tonë të vuajtur aq gjatë.
Dje një instancë ndërkombëtare e drejtësisë rrëzoi akuzat e pabaza për krimet e pretenduara që gjoja ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe komandantët e ushtarët e saj. Ky lajm duhej të ishte i mirëpritur nga të gjithë dhe të mos shkaktonte zemërim, si në Beograd. Të zemëruar duhet të jemi të gjithë kur vërtetohen krimet mbi të pafajshmit, siç ka ndodhur shumë herë në Hagë.
Përpjekjet e ethshme kaq vjet të pasluftës, për të hequr paralele midis luftës së hordhive shoviniste e kriminale serbe dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës e Ushtrisë së tij, kanë qenë dhe janë të pakapshme as nga logjika e thjeshtë, pa le më nga drejtësia profesionale ndërkombëtare. Ato ishin të destinuara për dështim dhe do të përfundojnë me turp", theksoi kreu i Kuvendit.
Më tej ai shtoi se vendimi i Gjykatës së Hagës, padyshim është ngjarje e rëndësishme në jetën personale të ish akuzuarve, të cilët iu kthyen familjeve, miqve dhe popullit të Kosovës. „ Unë shfrytëzoj këtë foltore që edhe njëherë, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, t'iu uroj atyre mirëseardhjen dhe mbarësi në jetë. Zotit Ramush Haradinaj i uroj kthimin në angazhimet politike e kombëtare për të mirën e vendit tonë.
Shpreh bindjen e plotë se edhe në proceset tjera gjyqësore të luftëtarëve të lirisë, duke përfshirë edhe këtë të fundit me zotin Fatmir Limaj me shokë, drejtësia do të fitojë, duke shpallur pafajësinë e tyre dhe drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të mbrosh luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë edhe duke sakrifikuar, të mishërosh dhe të ruash idealet e moralin e saj, është jo vetëm obligim personal e kolektiv, por edhe një nder i madh", tha me këtë rast kryeparlamentari Krasniqi, duke i dëshiruar z. Haradinaj edhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mirëseardhje ,shëndet dhe fat.
Më pas, me një fjalë përshëndetëse, Kuvendit iu drejtua edhe ish-Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj. "Është sfiduese të flas para jush, sidomos për faktin që ju jetoni çdo ditë me punët dhe me sfidat, me të cilat përballet vendi ynë, por edhe me sfidat me të cilat jam përballur unë dhe kolegët e mi, të cilat i kemi bashkëndjerë dhe i kemi kaluar së bashku. Pas shumë mundi, është mirë të ndjehesh fitues, sepse ajo të jep motiv për të synuar përpara në sfidat që na presin. Dëshira ime është që vendin tonë ta shohim fitues në etapat që vijnë.
Kjo ndjenjë është edhe më e fortë për faktin se ne sapo përmbyllëm festimet për 100 vjetorin e shtetit shqiptar dhe iu uroj të gjithëve festat dhe njëkohësisht iu siguroj se do të jem shumë i kujdesshëm që të punojë me të gjithë ju, në mënyrë që të krijojmë kualitet sa më të mirë në vendin tonë, në demokraci, në të gjithë temat që e preokupojnë qytetarët e vendit. Nuk do te jetë e lehtë, siç nuk ka qenë deri më tani, por ju lus ta ndjeni veten më të fortë ngase e keni një koleg dhe do të punojmë së bashku", tha me këtë rast lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Tutje, duke falënderuar për nderin që iu bë sot në Kuvend, për fjalën dhe për pritjen e kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe qytetarët e vendit, ai falënderoi edhe të gjithë ata që kanë besuar se një fitore e drejtësisë është e mirë për të gjithë që jetojmë në këtë vend. "Edhe vendi ynë, por edhe regjioni nuk është në një periudhë të mirë , siç e dimë të gjithë ka një krizë globale ekonomike dhe financiare. Ky fakt iu ka nxjerr vështirësi të gjithë udhëheqësve të vendeve dhe organizatave të ndryshme. Shumë me pak kohë e vullnet kanë që ta na drejtojnë neve, në regjionin tonë. Dhe, do të ishte interesant që të dimë të gjejmë rrugën e duhur, për të mbetur në agjendat evropiane, të cilat janë serioze, njëkohësisht drejt integrimeve euroatlantike e në NATO. Andaj, sa më shpejt që të përmbyllet integrimi i regjionit tonë, është më mirë për të gjithë ne, si dhe për popujt tjerë. Dhe, neve si shoqëri e re, na takon që edhe në këto procese ta kryejmë pjesën tonë, tha me këtë rast ish-Kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, z. Ramush Haradinaj duke përfunduar se: Do të punojë sa më shumë, me secilin nga ju, që të gjitha punët e mira që janë arritur, t'i qojmë përpara, si dhe të gjitha sfidat t'i zgjedhim së bashku.