Lajmet e fundit

Mesazhi i kryekuvendarit Krasniqi me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

E Marte, 27.11.2012




Me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari I Kuvendit të Republikës së Kosovës ,dr. Jakup Krasniqi, iu drejtua me një mesazh të gjithë shqiptarëve, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Mal të Zi e diasporë. Duke i përgëzuar për këtë jubile të rëndësisë së veçantë,ai përkujton përpjekjet mbinjerëzore të shqiptarëve që nga periudha e Rilindjes, të cilat reflektuan fuqishëm në ngritjen kulminante të vetëdijes kulturore e shtetformuese, që sollën pavarësinë e Shqipërisë.

Megjithëse të ndarë dhunshëm e padrejtësisht nga trualli i tyre, shqiptarët nuk ndalën përpjekjet e tyre drejt lirisë. Me vullnet të çeliktë e me sakrifica të pashembullta, u arrit çlirimi i Kosovës duke e shpallur shtet të pavarur dhe sovran. Ishte lufta e pakursyer e UÇK-ës, udhëhequr nga komandanti dhe trimi i paepur Adem Jashari, i cili u flijua me tre brezat e kësaj familjeje , që ndërroi njëherë e përgjithmonë rrjedhën e historisë për shqiptarët. Në këtë luftë të pakursyer shqiptarët u ndihmuan edhe nga miqtë ndërkombëtarë,sidomos nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, të cilëve u jemi gjithmonë mirënjohës.

Kjo festë sot e gjithmonë na bën edhe më të bashkuar e më të vullnetshëm drejt progresit të gjithmbarshëm, unitetit kombëtar dhe integrimeve evropiane.

Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Kosovës ju uroj të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që janë:Gëzuar Dita jubilare e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,Dita e Flamurit dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, theksohet në mesazhin e kryekuvendarit Krasniqi.

 

Mesazhi i kryekuvendarit Krasniqi me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë