Lajmet e fundit

Mbledhje e Komisionit për Punë të Jashtme

E Hënë, 26.11.2012




Komisioni për Punë të Jashtme në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar Raportin e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Bazuar në nenin 73 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, Komisioni për Punë të Jashtme ka kompetencë të mbikëqyrë zbatimin e ligjeve të fushës së shërbimit të jashtëm dhe diplomacisë, duke ushtruar kontrolle të rregullta mbikëqyrëse, duke ndërmarrë studime mbi efektivitetin e ligjeve në fuqi, për të paraqitur propozime për masat konkrete që duhet të ndërmerren rreth zbatimit të ligjeve, si dhe të raportojë në Kuvend për nivelin e zbatimit të tyre.

Grupi i punës, bazuar në mandatin e dhënë, ka arritur të përmbyllë aktivitetet e planifikuara në mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, është thënë në takim. Grupi i punës është takuar me përfaqësues të MPJ-së, si dhe me disa ambasadorë të Republikës së Kosovës në detyrë, me qëllim që më për së afërmi të njoftohet me zbatimin e këtij ligji, vështirësitë në të cilat hasin misionet diplomatike në zbatimin e ligjit dhe nevojën, sipas tyre, që ky ligj të plotësohet e ndryshohet, me qëllim të funksionimit sa më cilësor të shërbimeve tona diplomatike jashtë vendit. Gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, grupi i punës ka arritur të mbledhë të dhëna të mjaftueshme mbi nivelin e zbatimit të këtij ligji.

Raporti në kapituj të veçantë përmban analiza mbi përputhshmërinë e akteve nënligjore me Ligjin, raportimet në mbledhjet e Komisionit për Punë të Jashtme, obligimet e parapara në ligj, zbatueshmërinë e ligjit, çështje të identifikuara e konkluzione, si dhe rekomandime për Kuvendin e Kosovës dhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në takimin e sotëm ka pasur vërejtje të shumta për zbatueshmëri të mangët të ligjit nga MPJ-ja, sidomos për sa i përket praktikave të rekrutimit të stafit. Është theksuar se nga 600 kandidatë që kanë konkurruar për punë në këtë ministri dhe u janë shtruar intervistimeve, asnjëri nuk është pranuar në punë, ndërkohë që aty angazhohen persona të tjerë, duke shkelur institucionin e konkursit. Anëtarët e Komisionit kanë tërhequr vëmendjen se kësisoj Shërbimi Diplomatik i Kosovës po humb kuadro të shkëlqyeshëm diplomatik.

Me vërejtjet e shprehura në takim, Komisioni miratoi Raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosoves, i cili do t'i paraqitet seancës plenare (gjatë dhjetorit) për miratim.

Po në mbledhjen e sotme Komisioni për Punë të Jashtme ka shqyrtuar edhe Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013. Në takim është vendosur që të ftohet ministri Hoxhaj për të raportuar në Komision lidhur me zërat buxhetor për MPJ-në, para se të shqyrtohet për herë të dytë në Kuvend Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013.

 

Mbledhje e Komisionit për Punë të Jashtme