Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 26.11.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtuan propozim-amendamentet e grupit të punës për Projekt-kodin e procedurës penale, të cilat i prezantoi nënkryetari i Komisionit, Behar Selimi. Me këtë rast ai theksoi se ndryshimet në amendamentet e këtij projektligji kanë të bëjnë me gjuhën juridike dhe se janë inkorporuar edhe vërejtjet e Komisionit Evropian.

Duke përkrahur këto amendamente për procedim në seancë plenare, anëtarët e komisionit vlerësuan se meqë nga 1 janari i vitit 2013 do të hyjë në fuqi Kodi Penal, kërkuan nga Kryesia e Kuvendit, si dhe nga komisionet parlamentare që këtë çështje ta trajtojnë me urgjencë në mënyrë që edhe ky projektligj të hyjë në fuqi.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-125 për Shëndetësi. Me këtë rast u paraqitën vërejtje të shumta në këtë raport. U kërkua nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale që të trajtojë sërish amendamentet dhe të shqyrtojë vërejtjet e Komisionit për Legjislacion. U theksua se në këtë raport ka defekte sa i përket standardeve të gjuhës ligjore.

Tutje, anëtarët e komisionit përkrahën raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-133 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-216 mbi themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë.
Ndërkaq, formuan edhe grup pune për Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale.

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion