Lajmet e fundit
Vazhdimi i Seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Enjte, 22.11.2012
Në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit, Enis Kervan, pikë e parë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale. Para deputetëve këtë Projektligj e paraqiti zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili theksoi se ky Projektligj është në harmoni me dispozitat e Kodit Penal dhe atij të Procedurës penale. Ai në vijim gjerësisht foli edhe për fushat që përcakton ky Projektligj. Në emër të grupeve parlamentare :PDK,LDK,Vetëvendosje,AAK,KKR, 6+, përkatësisht Halit Krasniqi,Haki Demolli,Albulena Haxhiu,Ardian Gjini, Sevdije Rama dhe Albert Kinolli, për këtë Projektligj dhanë disa sugjerime e vërejtje, por përkrahën Projektligjin. Ndër vërejtjet gjatë këtij debati ishte brenga se mos po byrokratizohet shërbimi korrektues, si dhe kërkesa që Ligji i ardhshëm të zbatohet me përpikëri. Pas debatit u aprovua në parim ky Projektligj.
Në vijim u shqyrtua për herë të parë Projektligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, të cilin e prezantoi ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Sasha Rashiq,i cili tha se më këtë Projektligj ngritet niveli i sigurisë në punë. Në emër të grupeve përkatëse parlamentare Projektligjin e përkrahën deputetët:Flora Brovina,Bahri Thaçi, Liburn Aliu,Time Kadrijaj,Gëzim Kelmendi,Milivoje Stojanoviq dhe Fikrim Damka. Gjatë debatit theksohej se ky Projektligj tregon përkushtimin e Qeverisë për përkujdesje më të madhe ndaj punëtorëve në punë. Ndër vërejtjet ishin ato se disa dispozita të Projektligjit duhet të saktësohen më mirë, se në disa dispozita ka konflikt interesi,shëndeti është i cenuar aktualisht, si dhe është e nevojshme që të rriten kapacitetet e inspeksioneve të punës. Pas debatit Kuvendi përkrahu në parim Projektligjin.
Ne rendin e ditës pastaj ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve "Shota" dhe për ansamblet tjera,të cilin në seancë e prezantoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i cili theksoi se ndryshimi i Projektligjit është treguar i nevojshëm , meqë disa dispozita nuk mundësojnë zbatimin e ligjit ekzistues. Me këtë Projektligj, tha ai, do të mundësohet krijimi i hapësirave për funksionalizim të ansambleve. Kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Idriz Vehapi, theksoi se ky Komision ka përkrahur këtë Projektligj, duke propozuar njëherësh që të miratohet në parim. Moto e diskutimeve të diskutuesve rreth këtij Projektligji ishte krijimi i kushteve për të ndihmuar materialisht dhe moralisht këto ansamble , të cilat ruajnë e kultivojnë vlera të artit të të gjitha komuniteteve. U tha se është e nevojshme që të ruhen si ansamble edhe disa trupa artistike të veçanta, siç është ansambli"Rugova", sepse mosfunksionimi i tyre do të kishte si pasojë humbjen e vlerave të rëndësishme nga trashëgimia kulturore. Pas vërejtjeve e plotësimeve Projektligji u përkrah në parim.
Pasi paraqiti Raportin, në emër të Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Idriz Vehapi, theksoi se Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës,i cili ishte në shqyrtim të dytë,është në pajtim me standardet e BE-së dhe se, edhe komisionet e përhershme nuk kanë pasur vërejtje. Deputetët e miratuan pastaj Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës.
Kuvendi në vijim formoi Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media,në të cilin u emëruan: Behar Selimi,Ramë Vataj,Lirije Kajtazi,Sadri Ferati,Teuta Haxhiu,Milivoje Stefanoviq dhe Fikrim Damka.
Në vazhdim seancës u shqyrtua për herë të parë Projektligji për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor,të cilin në seancë e paraqiti Bedri Hamza, ministër i Financave.
Ai theksoi se më këtë Projektligj krijohen kushte e ambient për veprimtari të frytshme të biznesit privat, punësim më të madh, si dhe ngritje të sistemeve përkatëse për prodhimin e produkteve, duke i liruar disa produkte nga tatimi , sidomos kur është fjala për ato nga farmaceutika, e që kanë të bëjnë me sëmundje të rënda. Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, njoftoi deputetët se ky Komision e ka përkrahur këtë Projektligj për shqyrtim të parë. Gjatë debatit u përkrahën lehtësitë e parapara duke propozuar edhe disa prodhime të tjera për t'u liruar nga dogana, sidomos repromaterialet, të cilat ndikojnë pozitivisht në punësim. Pas debatit Projektligji u miratua.
Pastaj Kuvendi shqyrtoi Raportin e tretë dhe të katërt të Komisionit për Integrime Evropiane, për zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrim Evropian për vitin 2012, të cilin e paraqiti kryetari i këtij Komisioni Lutfi Haziri, i cili theksoi se Raporti i tretë për zbatimin e planit të veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrime evropiane, paraqet të arriturat e tremujorit të tretë dhe të katërt të vitit 2012. Në këtë raport janë paraqitur të gjitha të arriturat dhe sfidat për institucionet e Republikës së Kosovës.
Në vijim ai theksoi se më 14 qershor 2012, Komisioni Evropian ia ka dorëzuar Kosovës Udhërrëfyesin për procesin e liberalizimit të vizave. Po ashtu me rëndësi të veçantë është zhvillimi i dialogut të strukturuar për sundimin e ligjit që po zhvillohet në mes të Kosovës dhe BE-së. Kurse më 10 tetor 2012, Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
Kuvendi sipas këtij raporti ka shënuar progres në një varg çështjesh duke krijuar komisione ad hok për reformat kushtetuese dhe zgjedhore, dëgjimet publike të ministrive të linjës dhe raportimet e tyre, miratimin e legjislacionit të kërkuar sipas Raportit të Progresit 2011, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve që kërkohet të forcohet edhe më tutje. Komisionet parlamentare në programin e punës së tyre kanë paraparë mbikëqyrjen e zbatimit të së paku një ligji.
Në vazhdim ai tha se progres nuk është arritur sa i përket sundimit të ligjit në veriun e Kosovës, edhe më tutje duhet të funksionalizohet sistemi gjyqësor edhe pse ka pasur disa reforma, duhet bërë reforma në administratën publike, nuk është raportuar për progres sa i përket mbrojtjes së fëmijëve, deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve publik, nuk ka pasur raportim për statistikat ekonomike për vlerësime gjithëpërfshirëse të gjendjes ekonomike, etj.
Gjatë debatit u tha se ky vit është vit i konkretizimit të agjendës evropiane. Nga gjithsej 222 sfida , 181 janë adresuar, kundruall 41 që kanë mbetur pa u sendërtuar. Nga disa diskutues u tha se përkrahin këtë Raport, por nuk mund të jenë të kënaqur më të arriturat.
Në fund të mbledhjes , deputeti Liburn Aliu, në emër të Grupit Vetëvendosje propozoi që në mënyrë urgjente në vijim të seancës të diskutohet situata e rëndë në veri të vendit, e cila është duke eskaluar. Në diskutimet e tyre lidhur me këtë propozim shefat e grupeve parlamentare nuk përkrahën propozimin për ta shqyrtuar sot këtë çështje. Shumica e tyre ishin për atë që për të radhitur këtë çështje në rendin e ditës duhet një koordinim ndërmjet Kryesisë dhe shefave të grupeve parlamentare. Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-ës, Adem Grabovci, tha se situata në veri është nën kontroll dhe se ministri është në terren. Pasoi votimi dhe propozimi i deputetit Liburn Aliu nuk u përkrah nga shumica e deputetëve.