Lajmet e fundit
Tryezë e Grave Deputete
E Mërkure, 21.11.2012
Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me NDI-në mbajti sot tryezën: "Gratë në Politikë -Iniciativat Buxhetore". Kjo ishte një tryezë përmbledhëse, të cilës i kanë paraprirë tryezat nëpër komuna, si: ajo e Gjilanit, Gjakovës, Shtërpcës dhe Vushtrrisë, ku gratë deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me asamblistët nga komunat përkatëse kanë analizuar, identifikuar dhe adresuar çështjet me interes për komunën, familjen dhe gruan.
Kryetarja e GGD-ës, znj Teuta Sahatqija, e cila edhe kryesonte këtë tryezë foli për përkushtimin e GGD-ës që të rrisë bashkëpunimin me komuna dhe veçanërisht me asambleiste me qëllim që, më fuqishëm të përkrahen projektet që kanë interes të përgjithshëm dhe përfshijnë edhe përmirësimin e pozitës së gruas. Ajo po ashtu falënderoi edhe NDI-në për mundësimin e organizimit të këtyre tryezave dhe për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep GGD-ës dhe grave në komuna.
Aleksander Chavarria , drejtor i NDI-ës në Kosovë, theksoi gatishmërinë e NDI-ës për të përkrahur proceset demokratike në Kosovë, procese në të cilin gruaja ka rol të rëndësishëm. Z Charravina tha se tryezat, si ajo për Ligjin e punës, Reformën zgjedhore etj, ka rezultuar me arritje konkrete, ndërsa kjo që po bëhet me komuna ka për qëllim që gratë bashkërisht nga të dy nivelet të realizojnë projekte me interes për gruan dhe vendin.
Znj. Safete Hadërgjonaj , kryetare e Komisionit për Buxhet foli për rendësinë e buxhetimit gjinor, duke treguar edhe përvojën e saj të mëparshme , si asambleiste e komunës së Deçanit dhe anëtare e Komitetit për Ekonomi. Tani, tha ajo, gratë duhet që paraprakisht çështjet me interes t' i adresojnë në komuna, të lobojnë që ato t'i fusin në kuadër të projekteve komunale. Këto projekte kështu duhet të arrijnë në nivel qendror dhe pastaj edhe ne në parlament dhe në komisionin që drejton."Jemi mjaft të përkushtuar që çështjet me interes të përgjithshëm dhe në interes të gruas t'i shtyjmë përpara", theksoi ajo. Deputetja Hadërgjonaj, po ashtu foli për procedurat që duhet ndjekur me qëllim që një projekt të përfshihet në buxhetim.
Kumuna e Gjilanit, thanë deputet Salihe Mustafa dhe Lirie Kajtazi, ka identifikuar nevojën e ngritjes së kapaciteteve të grave për veprimtari afariste, prandaj edhe kërkesë e tyre është që të hapet një zyre këshillëdhënëse për hartimin e projekteve dhe dhënien e këshillave për zhvillimin e afarizmit të grave.
Për Komunën e Gjakovës folën deputetet nga kjo komunë: znj Teuta Haxhiu dhe Sevdie Lama, duke theksuar se asambleistet dhe gratë nga komuna e Gjakovës, kanë kërkuar që në projekt-buxhetin e këtij viti të hyjë "Revitalizimi i Çarshisë së Vjetër", projekt i cili do rezultonte me mundësi të mëdha punësimi të grave, promovimi dhe shitja e artizaneve dhe produkteve tjera vendore.
Jasmina Zhivkoviq dhe Jelena Bontiq pasi folën për gjendjen e gruas në Shtërpcë, thanë se në këtë komunë kontrollet mjekësore janë të pamjaftueshme, ndaj është shumë i nevojshëm sigurimi i aparaturë së "Ultrazërit tri dimenzional ", i cili edhe nga komuna është përkrahur shpresohet se edhe nga Kuvendi dhe Komisioni për Buxhet do të përkrahen .
Deputetja znj. Xhevahire Izmaku , tha se rreth 80% e fëmijëve në Vushtrri i kanë dhëmbët e prishur, dhe po ashtu një numër shumë i madh kanë probleme me të pamunit."Kemi kërkuar dhe po kërkojmë, përkrahje për sigurimin e buxhetit me qëllim që të bëhet kontrolli sistematik shëndetësori fëmijëve nëpër shkolla", tha ajo.
Në tryezë kontribuuan edhe Mirlinda Kusari, e cila foli për nevojë e koordinimit më të madh të grave në politikë dhe OJQ. Kurse znj. Hamide Latifi nga OJQ Gratë në Biznes tha: "Duhet ndihmuar gratë për të marrë fonde nga jashtë, si ndodh ne vendet tjera p.sh., një OJQ në Kroaci, ka fituar 37 projekte nga Komisioni Evropian, e ne në mungesë të hartimit të projekteve nuk po i gëzojmë këto mundësi", tha znj. Latifi.