Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 21.11.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, u shqyrtua raporti i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së

Infrastrukturës, për vitin 2011. Në këtë takim të pranishëm ishin ministri i MI-së, Fehmi Mujota, si dhe Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Oloffson.

Mos përfshirja e kontratës së nënshkruar me kompaninë Bechtel Enka për ndërtimin e autostradës, në raportin e auditimit të ZAP-it, ishte njëra nga çështjet dhe shqetësimet që u ngritën nga anëtarët e komisionit në shqyrtimin e raportit të auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Infrastrukturës, për vitin 2011.

"Në kontratën për autostradën auditori nuk ka qasje, me arsyetimin se është duke u hetuar nga EULEX-i, sikurse edhe shtatë kontrata tjera që kanë të bëjnë më mirëmbajtjen e rrugëve. Komisioni do të rezervohet në vlerësime derisa t'i marrë këto kontrata. Kontratat duhet të sillen në komision", theksoi fillimisht kryetari i komisionit, Ali Sadriu.

Duke vënë në pah faktin se raporti për MI-në është me opinion të pakualifikuar, me theksim të çështjes, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime të shumta nga ministri Mujota, në këto çështje: për vazhdimin e kontratave për mirëmbajtjen e rrugëve me operatorët e njëjtë ekonomik, për mos funksionalizimin e Task Force, për implementimin e planit të veprimit, për masat administrative që janë ndërmarrë ndaj personelit, lidhur me parregullsitë që ka identifikuar KZAP-i në fushën e prokurimit, si dhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë MI-ja për regjistrimin e tokave që janë pronë e ministrisë.

Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Oloffson, duke theksuar fillimisht se menaxhimi financiar nuk është në nivelin e dëshiruar tha se bazuar në rekomandimin e përgjithshëm, ministri duhet t'i forcojë linjat e llogaridhënies në tërë ministrinë, si dhe t'i sqarojë detyrat dhe përgjegjësitë në përshkrimin e detyrave.

Oloffson më tej tha se në këtë ministri është vërejtur një ecuri e ngadalshme, kjo bazuar në auditimin e ndërmjetëm, ndërkaq sa i përket mos përfshirjes së kontratës së nënshkruar me kompaninë Becthel Enka për ndërtimin e autostradës, në raportin e auditimit të ZAP-it, Olofsson tha se nuk mund të ndërhyjnë në çështjet të cilat janë nën hetime, meqë mund të shkatërrohen dëshmitë.

Ministri Mujota gjatë diskutimit të tij pasi bëri një përshkrim të punës së gjertanishme të ministrisë tha se janë ndërmarrë masat e nevojshme për përmirësimin e gjendjes.
Shumë çështje që janë adresuar në pasqyrat e auditimit gjatë vitit 2011, janë në përmirësim e sipër. Janë ndërmarrë masa administrative ndaj disa zyrtarëve të MI-së dhe në këtë proces ka pasur mjaft vështirësi, theksoi ministri i MI-së, Fehmi Mujota.

MI-ja sipas ministrit Mujota ka bërë edhe Planin e Veprimit për rekomandimet e dala nga KZAP-i dhe ky plan tani është vënë në funksion.

Sa i përket evidentimit të pronave, ai tha se kanë formuar një komision të veçantë lidhur me këtë dhe se ky komision ka arritur të kryejë një pjesë të madhe të punës, megjithatë shtoi ministri Mujota, ka vështirësi në aspektin kadastral.

Duke theksuar se në MI gjatë këtij viti janë shënuar përparime të dukshme dhe se do të arrihet tek synimi për të pasur pasqyra më të mira të auditimit, Mujota foli edhe për çështjen e mos përfshirjes së kontratës së nënshkruar me kompaninë Bechtel Enka për ndërtimin e autostradës, në raportin e auditimit të ZAP-it.

"Çështja e mos auditimit të projektit të autostradës nuk është çështje që ne nuk e kemi ofruar për auditorin, meqë ne kemi qenë të hapur, mirëpo ZAP-i ka vepruar konform ligjit. Ne jemi të hapur edhe për komisionin parlamentar dhe do të ofrojmë të gjitha të dhënat e kërkuara për projektin e rrugës së kombit. ", tha Mujota.

Anëtarët e komisionit kërkuan nga MI-ja që të hartojë Planin e Veprimit dhe që t'i ndërmarrë të gjitha veprimet, bazuar në rekomandimet e KZAP-it, për të cilën çështje u dha një afat prej 15 ditësh që komisioni të njoftohet me shkrim.

Pas shqyrtimit të këtij raporti, anëtarët e komisionit diskutuan edhe për nisjen e procedurave për përzgjedhjen e një kompanie audituese për auditimin e Zyrës së Auditorit Gjeneral.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike