Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme...

E Mërkure, 21.11.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar, u diskutua për Projektligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, si dhe u shqyrtuan disa çështje të tjera nga fushëveprimtaria e komisionit.

Komisioni u dakordua që të krijojë një grup të veçantë punues, i cili do të merret me vlerësimin e shpenzimeve buxhetore të agjencioneve për vitin 2012, si dhe me shqyrtimin e kërkesave të tyre buxhetore për vitin 2013, para se ato të shqyrtohen në komision.

Në kuadër të funksionit mbikëqyrës të komisionit, deputeti Fatmir Xhelili i njoftoi anëtarët me ecurinë e punës së mbikëqyrjes financiare të institucioneve të ndryshme të sigurisë në Kosovë.

Komisioni u njoftua, gjithashtu, edhe për hollësitë e vizitës që do të zhvillojë në Vjenë gjatë muajit dhjetor të këtij viti.

Konform dakordimit paraprak, komisioni u pajtua që më 4 dhjetor të ftojë për raportim ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepin, lidhur me zhvillimet e fundit në fushën e rendit e të sigurisë.

Sa i përket kërkesës së deputetit Danush Ademi për ndarjen e një shume të caktuar të mjeteve financiare për ndërtimin e objekteve të banimit për qytetarë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë, komisioni u pajtua që nëpërmjet një informate t'i njoftojë institucionet kompetente.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme...