Lajmet e fundit

Komisionit për Shëndetësi... mbajti dëgjim publik për Projektligjin për Odat e profesionistëve shëndetësorë

E Marte, 20.11.2012




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga Fikrim Damka, kryetar, ka mbajtur sot dëgjim publik për Projektligjin për Odat e profesionistëve shëndetësorë, në të cilin, anëtarë të komisionit, përfaqësues të qeverisë, të shoqatave e sindikatave shëndetësore, diskutuan për përmbajtjen e projektligjit dhe mundësitë e plotësim-ndryshimeve të tij, gjatë fazës së amendamentimit.

Duke bërë një prezantim të përgjithshëm të projektligjit, përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, Hysni Bajrami, e konsideroi atë mjaft të rëndësishëm, për faktin se, sipas tij, krijon ndryshime të mëdha strukturore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe është hera e parë që në Kosovë bëhen përpjekje të krijohen oda shëndetësore.

Bajrami shtoi se me këtë projektligj, në Kosovë krijohen katër oda të veçanta shëndetësore, qëllimi i të cilave është promovimi i interesave të punëtorëve shëndetësorë, por edhe përgjegjësive të tyre kundruall etikës profesionale shëndetësore. Ai në vazhdim bëri një elaborim të hollësishëm të projektligjit, duke shkoqitur aspekte të rëndësishme përmbajtësore të tij.

Përfaqësues të shoqatave të mjekëve vlerësuan procedimin e këtij projektligji në Kuvend, por, njëkohësisht, shfaqën edhe vërejtje për disa nene të tij. Pas dilemave të ngritura lidhur me koston financiare të projektligjit, u theksua se ajo është e planifikuar dhe zbatimi i këtij ligji, në aspektin financiar, nuk rrezikohet.

 

Komisionit për Shëndetësi... mbajti dëgjim publik për Projektligjin për Odat e profesionistëve shëndetësorë