Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Marte, 20.11.2012
Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës ligjore lidhur me pirjen e duhanit dhe mbrojtjen e qytetarëve jo-duhanpirës ndaj ekspozimit të tymit të duhanit, veçanërisht fëmijëve, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Fikrim Damka, ka mbajtur sot dëgjim publik, në të cilin është diskutuar për Projektligjin për kontrollin e duhanit.
Përfaqësues të institucioneve shtetërore, të organizatave joqeveritare e të bizneseve, si dhe anëtarë të komisionit, të pranishëm në këtë dëgjim publik, kanë diskutuar gjerësisht rreth përmbajtjes së këtij projektligji, si dhe kanë dhënë vërejtje e sugjerime rreth neneve të caktuara të tij.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, në cilësi të sponsoruesit, tha se ky projektligj ka të bëjë me ndalimin 100 për qind të duhanpirjes në hapësirat e mbyllura publike, hapësirat e mbyllura të punës, në transportin publik dhe në hapësirat e tjera publike. Ai tha se projektligji ka adresuar çështje të cilat janë ngritur nga mekanizma shumë relevantë, duke u nisur nga raporti i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Duhanin dhe rekomandimin për zbatimin e kësaj mase, nga Koalicioni Antiduhan në Kosovë, Inspektorati Sanitar, zyrat respektive të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe të UNICEF-it në Kosovë, si dhe raporti i Progresit Evropian - pjesa për shëndetësinë. Hoti tha se kjo masë që tashmë po aplikohet në shumë vende të botës, është në përputhje të plotë me nenin 8 të Konventës Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit, të cilën e kanë nënshkruar 176 shtete të botës (përfshirë edhe vendet e BE-së), që paraqesin 90 për qind të popullatës në botë.
"Ndalimi 100 për qind i duhanit në hapësirat publike e lartpërmendura është masë që ndikon drejtpërdrejt në uljen e prevalencës dhe në mbrojtjen e jo-duhanpirësve nga ekspozimi në tymin e duhanit", theksoi Hoti.
Përfaqësuesi i OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla, duke i dhënë përkrahje projektligjit, u shpreh se synimi këtij dokumenti është që, pa cenuar të drejtën e duhanpirësve për të shkatërruar shëndetin e tyre, të promovojë dhe të mbrojë të drejtën e jo-duhanpirësve për mjedis të pastër pa tym duhani dhe për mbrojtjen e shëndetit të përgjithshëm publik.
"Asgjë nuk do të arrihet dhe Ligji do të mbetet një dokument i vdekur dhe dekor për sirtar, nëse ne si shoqëri nuk angazhohemi që për të mirën e pasardhësve tanë, ai të zbatohet me përpikëri dhe pa alternativë", theksoi Syla.
Edhe Shkumbin Spahia nga "Koalicioni Antiduhan", grupacion ky që mbledh rreth 20 organizata joqeveritare, tha se Projektligji për kontrollin e duhanit paraqet një dokument gjithëpërfshirës që siguron mbrojtje efektive të shëndetit për të gjithë qytetarët, është i qartë dhe nuk lejon mundësi për interpretime të dyfishta. Ai tha se shëndeti ynë dhe i fëmijëve tanë është në përpjesëtim të zhdrejtë me interesat e industrisë së duhanit.
"Sa më pak duhan të shitet, aq më të shëndetshëm do të jenë fëmijët tanë dhe e kundërta", theksoi Spahia.
Neni 9.2 i projektligjit, i cili ka të bëjë me ndalimin e ekspozimit të duhanit në pikat e shitjes, ishte pikë diskutimi pothuajse nga të gjithë folësit. Përfaqësues të organizatave të bizneseve dhe përfaqësues të tjerë të bizneseve private, kundërshtuan përmbajtjen e këtij neni, duke kërkuar heqjen e tij, me arsyetimin se ai do të dëmtojë bizneset e tyre. Përfaqësuesi i Shoqatës së shitësve me pakicë, Haqif Vitija, duke shfaqur shqetësimin lidhur me këtë nen, u shpreh se ai do të ketë ndikim negativ në bizneset e tyre dhe do të sjell mbylljen e shumë bizneseve të vogla.
"Ndalimi i ekspozimit të produkteve të duhanit nuk do të ndalojë njerëzit që të pinë duhan, pasi që çdo njeri që vjen në dyqanet tona për të blerë cigare, tashmë është duhanpirës", thekoi Vitija.
Në këtë frymë folën edhe përfaqësues të tjerë të bizneseve, duke theksuar se ligji do të jetë i pazbatueshëm. Por, kjo u kundërshtua nga përfaqësues të organizatave të tjera që veprojnë kundër pirjes së duhanit. Diskutuesit që mbronin përmbajtjen e këtij neni, theksuan se reklamat në pikat e shitjes rrisin eksperimentimin dhe fillimin e pirjes së duhanit tek të rinj, kurse studime të shumta në botë, sipas tyre, kanë gjetur vazhdimisht lidhje të forta në mes të ekspozimit në pikat e shitjes, inicimit dhe ndjeshmërisë sa i përket pirjes së duhanit, sidomos tek të rinjtë.
Nga diskutues të tjerë u tha se projektligji i propozuar është më i thjeshtë se ligji aktual, dhe si i tillë do të jetë më lehtë i zbatueshëm.
Kryetari i Komisionit, Fikrim Damka, duke e konsideruar të frytshëm këtë dëgjim publik, tha se propozimet e vlefshme do të merren parasysh nga komisioni dhe do të inkorporohen në projektligj.