Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...

E Marte, 20.11.2012




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në një mbledhje të përbashkët me drejtues të agjencioneve dhe rregullatorëve të pavarur, diskutoi për Projektbuxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013. Duke folur për qëllimin e këtij takimi, kryetari i komisionit, Zenun Pajaziti, fillimisht sqaroi se komisioni dëshiron të informohet përsëafërmi nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve se sa i plotëson nevojat e tyre projektbuxheti i propozuar nga Qeveria.

Përfaqësuesit e këtyre institucioneve, si: Këshilli i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP), Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave (ARH), Agjencioni Kosovar i Konkurrencës (AKK) dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ndërkaq, nuk paraqitën vërejtje substanciale lidhur me projektbuxhetin në përgjithësi.

Përfaqësuesi i KPMM-së, Ibush Jonuzi, vlerësoi se buxheti i propozuar për këtë këshill, në masën më të madhe i plotëson nevojat. Për një funksionalizim edhe më efikas të këtij këshilli, Jonuzi kërkoi shtim të buxhetit, për siç tha ai: " Sigurimin e mekanizmit për konfiskimin e makinerisë së operatorëve ilegalë". Ai, shtimin e buxhetit për KPMM-në e arsyetoi edhe me nevojën e shtimit të stafit profesional.

Ngjashëm me përfaqësuesin e KPMM-së u shpreh edhe përfaqësuesi i AKK-së, Ahmet Krasniqi, i cili kërkoi mjete shtesë edhe për akomodimin e këtij institucioni. Po ashtu, mungesë stafi paraqiti edhe përfaqësuesi i ARH-së, Halit Gara, i cili u shpreh se në kategorinë për mallra dhe shërbime të parashihet edhe shtimi i vendeve të reja të punës.

Lidhur me Projektbuxhetin për vitin 2013, foli edhe Avni Jashari, përfaqësues i AKP-së. Ai me këtë rast nuk pati vërejtje lidhur me buxhetin që u është dedikuar atyre sipas projektligjit, por, tërhoqi vërejtjen se me këtë Projektligj, është paraparë shkurtimi i mjeteve buxhetore për riorganizimin e kombinatit "Trepça" në shumën prej dy milion euro. Kjo tkurrje e buxhetit, sipas tij është duke u bërë në kohën kur kombinati "Trepça" është në vlugun e riorganizimit të tij.

Në fund të diskutimeve, komisioni vendosi që vërejtjet e paraqitura me këtë rast, të evidentohen dhe t'i dërgohen për shqyrtim edhe Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...