Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Marte, 20.11.2012
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që vazhdimit të seancës së javës së shkuar, që do të mbahet ditën e enjte, më 22 nëntor, t'i shtohen edhe dy pika të reja të rendit të ditës: shqyrtimi i parë i Projektligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, si dhe shqyrtimi i Raportit të tretë për zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrim Evropian për vitin 2012.
Duke e shqyrtuar kërkesën për Procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-163 për minierat dhe mineralet (të hartuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri), Kryesia ka konstatuar se Qeveria e ka dhënë mendimin e vet dhe Deklaratën për verifikimin e ndikimit buxhetor të këtij projektligji, prandaj e ngarkon Komisionin për Zhvillim Ekonomik... që ta përgatisë Raportin preliminar për shqyrtimin e parë të projektligjit në fjalë.
Edhe Propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Kryesia ia ka deleguar të njëjtit komision që të përgatisë për Kuvendin Raportin me Rekomandime për këtë çështje.
Kryesia, pasi e ka shqyrtuar Raportin vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011, e ka ngarkuar Komisionin për Legjislacion dhe Komisioni për Buxhet dhe Financa që ta shqyrtojnë Raportin vjetor të KGjK-së, për vitin 2011 dhe Kuvendit t'ia paraqesin raportet me rekomandime.
Kryesia ka shqyrtuar gjithashtu kërkesën e Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës dhe kompensimit për anëtarët e institucioneve dhe të agjencive të pavarura., duke e ngarkuar të njëjtin komision që, me rastin e shqyrtimit të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, t'i shqyrtojë mundësitë buxhetore dhe Kuvendit t'ia paraqesë Propozim-vendimin për caktimin e pagës dhe kompensimin e anëtarëve të institucioneve dhe agjencive të paravera, derisa të miratohet Ligji për pagat e funksionarëve të lartë publikë.
Po në mbledhjen e sotme anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare kanë shqyrtuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2012. Komisioni për Buxhet dhe Financa, ka vlerësuar se Raporti i përmbush kushtet ligjore për raportim, që dalin nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe i ka rekomanduar Kryesisë së Kuvendit për miratim.
Arsyetimin e Raportit e ka paraqitur sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, kurse atë e ka miratuar Kryesia e Kuvendit.