Lajmet e fundit

Kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport…Idriz Vehapi, priti një delegacion të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të kryesuar nga Pere Miro

E Marte, 20.11.2012




Kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovës, Idriz Vehapi, priti sot një delegacion të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), prirë nga Pere Miro, drejtor i IOC-ës për marrëdhënie me komitetet olimpike kombëtare, i shoqëruar edhe nga zëvendësi i tij Jerome Poivey.


Me këtë rast z. Idriz Vehapi e njoftoi mysafirin e lartë për veprimtarinë e këtij Komisioni. Në fillim z. Vehapi i bëri një vështrim të gjerë punës së këtij Komisioni në fushën e legjislacionit, duke theksuar se ligjet që kanë të bëjnë me sportin janë në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian. Në këto aktivitete, u shpreh ai, Komisioni zhvillon një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në fjalën e tij Idriz Vehapi i bëri një vështrim edhe vështirësive shumë të mëdha që e shoqëruan sportin kosovar gjatë viteve 90 dhe luftës, kur edhe sporti në Kosovë përjetoi një diskriminim ekstrem nga ana e pushtetit represiv serb. Mirëpo, edhe në këto kushte sportistët kosovarë bënë të pamundurën për të vazhduar veprimtaritë sportive. Pasojë e represionit serb ishte edhe shkatërrimi i infrastrukturës sportive.


Aktualisht Qeveria e Kosovës, tha në vijim z. Vehapi po bën gjithçka që është e mundur për të ndihmuar zhvillimin e sportit kosovar,sidomos në ndërtimin infrasturukturës përkatëse , për të krijuar kushte që sportistët kosovarë të jenë konkurrentë me sivëllezërit e tyre ndërkombëtarë. "Sporti kosovar më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetjen tuaj që ai të jetë pjesë e forumeve të IOC-ës", tha Idriz Vehapi, duke shtruar njëkohësisht kërkesën që federatat e sporteve kulminante, sidomos ajo e futbollit, të njohë federatën e futbollit të Kosovës, në mënyrë që edhe ekipet futbollistike të Kosovës të marrin pjesë në gara ndërkombëtare.


Anëtarja e Komisionit Xhevahire Izmaku theksoi se vetë prezenca e z. Pere Miro
krijon besimin se sporti kosovar do të ketë përkrahje ndërkombëtare, duke ditur se pa këtë përkrahje Kosova nuk mund të arrijë atë që aspiron në lëmenjtë sportiv.


Duke u falënderuar për pritjen,z. Pere Miro, tha se ai gjendet në Kosovë për të marrë një informacion sa më të gjerë lidhur me zhvillimin dhe sfidat e sportit kosovar, si dhe me realitetin e federatave të sportive kosovare, duke shfaqur njëkohësisht edhe kënaqësinë që gjendet në këtë ambient të bukur me sportistë shumë të inkurajuar. Në këtë frymë, ai theksoi se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është mjaft i angazhuar për të ndihmuar sportin Kosovar, që hap pas hapi të sigurohen kushte që edhe sportistët kosovarë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e institucioneve sportive të botës."Jemi këtu që të shikojmë e trasojmë rrugët më të mira të bashkëpunimit. Ju mund të llogarisni gjithnjë në mbështetjen tonë", theksoi z. Pere Miro, duke shfaqur besimin se kjo rrugë do të gjendet dhe se sporti kosovar do të integrohet plotësisht në institucionet sportive ndërkombëtare. Ndërkaq, harmonizimi i ligjeve të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian, tha Miro, do të jetë një parakusht thelbësor, që në aktivitetet sportive të shmangen parregullsitë.


Në përmbyllje të takimit kryetari i Komisionit, Idriz Vehapi, i dhuroi z. Pere Miro, një gravurë, në të cilën ishte skalitur harta e Kosovës. Delegacioni në këtë takim ishte i shoqëruar edhe nga Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport…Idriz Vehapi, priti një delegacion të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të kryesuar nga Pere Miro