Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Hënë, 19.11.2012
Në një mbledhje të përbashkët ndërmjet Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, përfaqësuesve të organizatës "Handikos", dhe Ministrisë së Administratës Publike (MAP), u bisedua lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore për zbatimin e Ligjit për shërbyesit civil. Ndonëse të ftuar, në takim nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ata të Ministrisë së Infrastrukturës, për ç'gjë anëtarët e komisionit dhe përfaqësuesi i organizatës "Handikos", Afrim Maliqi, shprehën pakënaqësinë e tyre.
Lidhur me zbatimin e Ligjit për shërbyesit civil, përkatësisht nenit 12 të tij, (ky nen përcakton të drejtat e personave me aftësi të kufizuara), foli përfaqësuesi i MAP-it, Naser Shamolli. Ai tha se MAP-i, nuk është i njoftuar me aktin nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Punës, sipas të cilit punëdhënësi është i obliguar që një në 50 të punësuar të jetë me aftësi të kufizuara. Për sa i përket numrit të të punësuarve në sektorin publik, e që i përkasin kësaj kategorie si dhe akteve nënligjore të nxjerra nga kjo Ministri, komisioni do të njoftohet me shkrim, tha Shamolli.
Përfaqësuesi i organizatës "Handikos", Afrim Maliqi, nga ana e tij ngriti një varg kritikash për mos nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministritë relevante, ndërkaq, të papranueshëm e konsideroi faktin se shumica e institucioneve publike nuk kanë të rregulluar qasjen fizike për persona me aftësi të kufizuara.
Maliqi, po ashtu tha se Ligji për persona me aftësi të kufizuara, nuk mbron interesat e paraplegjikëve dhe të tetraplegjikëve (personave me lëndime në boshtin dhe palcën kurrizore) dhe kërkoi nga anëtarët e komisionit që të iniciojnë plotësim-ndryshimin, ose, hartimin e një ligji të ri për këtë kategori.
Nënkryetarja e komisionit, Biserka Kostiq, e cila edhe e kryesoi këtë mbledhje, ishte e mendimit se ministritë që nuk iu përgjigjën ftesës për këtë këtij takim, të njoftojnë me shkrim për nxjerrjen e akteve nënligjore. Me propozimin e saj u dakorduan edhe anëtarët e tjerë të komisionit.