Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi ...
E Hënë, 19.11.2012
Kryesuar nga, Nait Hasani, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në një mbledhje të mbajtur sot me përfaqësuesit e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapsinopr (MMPH), shqyrtoi Projektligjin e Agjencionit për menaxhimin e komplekseve memoriale.
Anëtarët e Komisionit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor u dakorduan që në Projektligjin e Agjencionit për menaxhimin e komplekseve memoriale, të parashihet që ky Agjencion të jetë i pavarur dhe t'i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. Ndërsa lidhur me listën e komplekseve memoriale, të cilën para komisionit e paraqitën përfaqësuesit e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, komisioni vlerësoi se ajo nuk është e kompletuar. Lidhur me këtë, komisioni kërkoi prej tyre që në bashkëpunim me komunat të plotësojnë listën e komplekseve memoriale dhe deri më datën dhjetë dhjetor kjo listë t'i dorëzohet komisionit.