Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Hënë, 19.11.2012
Deputetë të Kuvendit të Kosovës, pastaj anëtarë të kabinetit qeveritar, të sindikatave të pensionistëve, të partive politike e të Shoqatës së personave me aftësi të kufizuara, në dëgjimin e sotëm publik të organizuar nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, kanë diskutuar për Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Kryetari i komisionit dhe kryesues i këtij takimi, Fikrim Damka, e konsideroi këtë dëgjim publik të një rëndësie të veçantë, i cili, sipas tij, do t'i mundësojë komisionit të marrë qëndrimet nga të gjitha palët e interesuara dhe propozimet e vlefshme t'i inkorporojë në projektligj gjatë fazës së amendamentimit.
Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, në cilësi të sponsoruesit arsyetoi procedimin e këtij projektligji në Kuvend dhe bëri një paraqitje të përmbajtjes së tij. Ai tha se ky projektligj, i cili është rezultat i një pune disavjeçare, ka për qëllim përfshirjen në një dokument të nevojave të pensionistëve dhe në funksion të kësaj janë propozuar disa zgjidhje brenda projektligjit. Veprimet pas miratimit të ligjit, sipas ministrit, janë shumë me rëndësi, të cilat, siç tha ai, do t'i avancojnë edhe më tej të drejtat e pensionistëve. Në këtë rast, ministri Rashiq përmendi kategorizimin, i cili, sipas tij, pritet të bëhet brenda një periudhe të shkurtër kohore, si dhe një varg veprimesh të tjerë që parasheh projektligji.
Ai kërkoi në mirëkuptim nga komisioni që të mos bëjë ndryshime të koncepteve kryesore të projektligjit, kurse rritja eventuale e kostos financiare të tij, siç tha ai, do të krijonte probleme në raportet me mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.
Përfaqësues të sindikatave të pensionistëve, të Partisë së Pensionistëve të Kosovës dhe të pranishëm të tjerë, diskutuan gjerësisht për përmbajtjen e projektligjit, duke potencuar mangësitë e tij dhe duke mëtuar të japin zgjidhjet adekuate për përmirësimin e një varg neneve. Ata argumentuan nevojën që gjatë fazës së amendamentimit, projektligji t'u nënshtrohet plotësim-ndryshimeve të nevojshme, të cilat do t'u jepnin zgjidhje shqetësimeve që ky projektligj ka ngritur në mesin e disa kategorive të pensionistëve.
Përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve dhe pensionistëve të kompleksit "Trepça" ishin më të zëshmit në këtë drejtim, duke identifikuar, sipas tyre, mangësi serioze në përmbajtjen e projektligjit dhe kërkuar amendamentimin e neneve të caktuara të tij, ku do të kodifikoheshin kërkesat e tyre, në funksion të rritjes së të ardhurave dhe përmirësimit të gjendjes ekonomike e sociale të kësaj kategorie të shoqërisë.