Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Premte, 16.11.2012
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, (një pjesë të saj e kanë drejtuar nënkryetarët: Xhavit Haliti dhe Petar Miletiq), kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u është drejtuar deputetëve lidhur me takimin e dytë të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton.
Kryeministri ka theksuar se më 7 nëntor është mbajtur takimi i dytë i radhës në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, i cili , siç ka theksuar ai, është zhvilluar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Rezolutën e miratuar në Kuvend për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona.
"Në takimin e dytë kemi shënuar progres konkret sidomos në çështjen e zbatimit në praktikë të marrëveshjes teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ka theksuar Thaçi, duke përmendur në vazhdim pikat kryesore të diskutuara në takim Ai ka theksuar se e ka ngritur çështjen e personave të zhdukur që vazhdon të mbetet një problem shumë i dhimbshëm jo vetëm për familjarët e personave të zhdukur, mirëpo edhe për tërë shoqërinë tonë, duke u zotuar se do të vazhdojë të ngritë këtë çështje derisa të përmbyllet ky proces me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një presion që mund t'i bëhet autoriteteve të Beogradit që kjo çështje të zgjidhjet njëherë e përgjithmonë.
"Jemi pajtuar që kjo është një çështje humane dhe shumë e dhimbshme e cila duhet të zgjidhet patjetër dhe sa më shpejt", ka thënë kryeministri, i cili ka pohuar se bashkëbiseduesit jenë pajtuar që të intensifikohen takimet e grupeve punuese të ndërsjella për gjetjen dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Si çështje të dytë të diskutuar në takim ka theksuar zbatimin në praktikë të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. " Lidhur më këtë çështje, ne jemi pajtuar që zbatimi në praktikë i IBM-së të fillojë në muajin dhjetor, dhe atë në katër vendkalime kufitare: Bërnjak, Jarinjë, Merdarë dhe tek pika kufitare Dheu i Bardhë. Ndërsa, sa i përket dy pikave kufitare tjera, asaj të Mutivodës dhe të Muçibabës, zbatimi i IBM-së do të fillojë në periudhë të më vonshme për shkak se në këto vendkalime kufitare aktualisht nuk ka qarkullim të mallrave, por vetëm të udhëtarëve dhe gjësendeve personale që ata i bartin me vete" ka thënë kryeministri, duke pohuar gjithashtu se në fazën e më vonshme, Bashkimi Evropian është zotuar se do të financojë ndërtimin e vendkalimeve kufitare të përbashkëta për zbatimin sa më efikas të IBM dhe se vendkalimet e përhershme të financuara nga BE-ja pritet të ndërtohen në Zonë Neutrale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Çështja e tretë e rëndësishme që është adresuar në takimin e dytë ndërlidhet me nevojën e hapjes së zyrave ndërlidhëse ndërmjet dy shteteve, ka thënë Thaçi, duke u shprehur i bindur se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore shpie drejt këtij përfundimi logjik - pra të njohjes së Kosovës, njohjes reciproke që do të mund të ndodhë. Ai ka theksuar rëndësinë e krijimit të kanaleve zyrtare të komunikimit ndërshtetëror, duke pohuar se zyrat ndërlidhëse do të ofronin edhe shërbime për pajisje të qytetareve me dokumente udhëtime, dokumente të gjendjes civile, pastaj promovim të investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik. Ai ka pohuar gjithashtu se për këtë çështje Serbia ende ka rezervat e saj, sepse e kupton qartë se një hap i tillë është edhe një hap më shumë drejt njohjes së Kosovës.
Çështje të katërt që është diskutuar në takimin e dytë, Thaçi e ka përmendur domosdoshmërinë e transparencës së Serbisë për financimin e sektorëve të ndryshëm në Kosovë, e në theks të veçantë, financimin e strukturave paralele të sigurisë në veri të vendit. "Serbia tashmë e ka të qartë se nuk do të mund bëjë progres drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian pa i plotësuar të gjitha kushtet e vëna në raport me Kosovën", ka thënë kreu i Qeverisë, duke mos e mohuar të drejtën legjitime të Serbisë për t'u interesuar për komunitetin serb që jeton në Kosovë, si dhe siç është shprehur ai: " të drejtën e Serbisë për ta ndihmuar në forma të ndryshme, qoftë edhe përmes ndihmave financiare komunitetin serb që jeton në Kosovë", e duke shtuar se këtë duhet ta bëjë në mënyrë transparente, duke i kaluar përmes Buxhetit të Kosovës, e nga aty të shpërndahen tek komunat me shumicë serbe, siç e parasheh dokumenti Ahtissari.
Çështja e pestë që është diskutuar në këtë takim ndërlidhet me masat për ruajtjen e trashëgimisë religjioze dhe kulturore serbe në Kosovë, ka thënë Thaçi, duke pohuar se ka propozuar krijimin e një njësie të veçantë në kuadër të Policisë së Kosovës, e cila do të merret me ruajtjen e këtyre objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore.
Çështja e gjashtë e diskutuar ka të bëjë me ndërtimin e një projekti të përbashkët infrastrukturor i cili do të financohej nga Bashkimi Evropian. " Fjala është për idenë tonë, për ndërtimin e autostradës Prishtinë- Merdare- Nish apo Prishtinë-Mutivodë-Leskovc" ka thënë kryeministri, i cili ka konfirmuar se Komisioni Evropian tashmë ka pranuar të financojë studimin e fizibilitetit për ndërtimin e kësaj autostrade.
Kryeministri Thaçi ka thënë se takimi i radhës me kryeministrin serb pritet të ndodhë në muajin e ardhshëm. Ai i ka garantuar deputetët se me asnjë çmim, me asnjë kusht ne nuk do të negociojë të drejtën tonë për të ekzistuar si shtet. "Pavarësia e Kosovës është vetëm vullneti ynë, nuk është vetëm realitet juridik në Kosovë", ka thënë kreu i Qeverisë duke i siguruar deputetët se tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe e njohur ndërkombëtarisht. Nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në tryezë për diskutime, ka thënë kryeministri.
Duke u shprehur se e di shumë mirë që Serbia nuk është një fqinjë i rëndomtë i Kosovës, e duke i përkujtuar se pas vetes shekuj luftërash dhe konfliktesh. "Mijëra të vrarë... Mijëra të zhdukur.. .Miliona plagë", ka përkujtuar Thaçi duke thënë se e kemi për obligim që fëmijëve tanë t'u lëmë trashëgimi jo vetëm një Kosovë të pavarur dhe sovrane, por edhe një Kosovë në paqe me fqinjët e saj, të integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Pas fjalës së kryeministrit, ka pasuar debati parlamentar lidhur me bisedimet me Serbinë.
Arsim Bajrami, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka pohuar se gjashtë çështjet që janë biseduar në takim me kryeministrin serb Daçiq janë shpjeguar në mënyrë të dinjitetshme nga kryeministri Thaçi. Bisedimet me Serbinë i ka quajtur proces të domosdoshëm për agjendën evropiane të Kosovës. Ai ka theksuar se duhet të përfundojë situata destabilizuese në Veri të Kosovës, dhe se zgjidhja të gjendet brenda Pakos së Ahtissarit, duke i ftuar deputetët nga radhët e opozitës që ta mbështesin dialogun me Serbinë.
Ismet Beqiri ka theksuar se Grupi Parlamentari LDK-së e ka thënë qartë se e përkrah çdo dialog që përputhet me Kushtetutën dhe me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Ai ka kërkuar që dialogu të jetë transparent, të raportohet në Kuvend për rrjedhën e tij dhe për çdo marrëveshje eventuale të këtij dialogu të vendosë Kuvendi i Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke folur në emër të Grupit Parlamentar Vetëvendosje, ka thënë se nuk është çështja se raporton apo jo kryeministri për bisedimet me kryeministrin serb Daçiq, por pse ai bisedon për çështje të Kosovës. Duke e shpalosur nga foltorja një flamur kombëtar shqiptar ai e ka ftuar kryeministrin e Kosovës që të betohet se nuk do të bëjë pazare me integritetin territorial të Kosovës dhe se nuk do të japë autonomi për pjesën veriore të vendit.
Ardian Gjini, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, i ka dhënë mbështetje dialogut , duke theksuar se për çështje të mëdha kombëtare nevojitet konsensus dhe se grupi i tij parlamentar është munduar ta ndihmojë këtë konsensus.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani, i ka mbështetur bisedimet me Serbinë, duke e lavdëruar kryeministrin Thaçi për transparencën që po e tregon. Ajo ka kërkuar që Brukseli dhe Uashingtoni të bëjnë presion shtesë ndaj Serbisë që t'i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialog.
Duke u shprehur se angazhohet për stabilizimin e komunitetit serb në Kosovë, e duke theksuar se nga Kosova deri më tani janë shpërngulur dy të tretat e komunitetit serb, deputetja Rada Trajkoviq bashkëbiseduesit Thaçi dhe Daciç i ka quajtur personat më adapt për zbardhen e fatit të personave të kidnapuar dhe të zhdukur.
Deputeti Shaip Muja, duke shprehur qëndrimin e tij mbështetës për bisedimet me Serbinë, ka theksuar se dy shtetet duhet të bisedojnë dhe t'i zgjidhin problemet e akumuluara nga regjimet shtypëse të Serbisë. Ai është shprehur i bindur se bisedimet dhe marrëveshjet që do të burojnë nga to, do të janë në dobi të dy popujve.
Skender Hyseni ka folur për rrethanat dhe për katër specifikat e legalitetit të pavarësisë së Kosovës, të konfirmuar nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë kontekst ai ka përmendur deklaratat e ministrit të Jashtëm Hoxhaj , lidhur me modelin e Traktatit gjerrmano-gjerman.
Albin Kurti ka shprehur pikëpamjet e tij të njohura lidhur me bisedimet duke i kontestuar edhe interpretimet e kufijve të integruar, IBM-së. Ai ka tërhequr vëmendjen se nëse mbetet e ndarë Mitrovica, edhe gjeneratave të ardhshme do t'u takojë të sakrifikohen, kurse Komunën e Mitrovicës së veriut e ka quajtur farë të ndarjes së Kosovës.
Në debat kanë kontribuuar edhe deputetët: Goran Marinkoviq, Ramiz Lladrovci, Vjosa Osmani, Rexhep Selimi, Halit Krasniqi, Lutfi Haziri, Visar Ymeri, Afri Kasolli, Ganimete Mujsliu, Fadil Demaku dhe Zenun Pajaziti, kurse vërejtjeve për Qeverinë u është përgjigjur disa herë, zv.kryeminstrja, Edita Tahiri.
Në përfundim të debatit në foltore ka dalë rishtas kryeministri Thaçi, cili ka çmuar lart debatin e sotëm. Ai, ndërkaq, ka folur kundër zërave, që siç është shprehur ai, qe trembëdhjetë vjet mbjellin frikë dhe tmerr në Kosovë, duke shprehur bindjen se të tillët nuk do të fitojnë gjë në aspektin elektoral. " Unë jam betuar një herë dhe qëndroj shumë krenar pas atij betimi", është shprehur kryeministri Thaçi , duke aluduar në kërkesën e nënkryetarit të Kuvendit, Konjufca, e duke e marrë flamurin kombëtar të lënë për te në foltore.
Seanca vazhdoi me shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Arsyetimin për këtë projektligj e ka paraqitur deputeti Ramë Vataj, i cili edhe është propozues i tij.
Qëndrimin e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji Administratë Publike dhe Media, lidhur me projektligjin e ka paraqitur kryetari i këtij komisioni, Idriz Vehapi. Komisioni ka rekomanduar që të mos miratohet në parim ky projektligj, kurse Kuvendit i rekomandohet të kërkojë nga Qeveria të hartojë projektligj të ri të ASHAK-së.
Në emër të grupeve parlamentare rekomandimet e Komisionit i kanë përkrahur: Ismet Bqiri ( LDK), Afrim Kasolli (VV), Teuta Haxhiu (AAK), Myzejene Selmani,(KKR), Milivoje Stojanoviq (SLS) dhe Albert Kinolli (6+).
Me shumicë votash nuk u përkrah propozimi i deputetit Vataj, ndaj i mbetet Qeverisë të hartojë projektligjin e ri për ASHAK-në.
Seanca i vazhdon punimet ditën e enjte, më 22 nëntor, në orën 13:00.