Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë

E Premte, 16.11.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim delegacionin nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga z. Bashkim Dedja. Në këtë takim merrte pjesë edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof.dr. Enver Hasani. Duke i uruar mirëseardhje delegacionit, kryekuvendari Krasniqi theksoi se Kosova ka arritur rezultate të rëndësishme në fushën e legjislacionit, pra ajo ka ligje të mira, por çështje është zbatimi i përpiktë i Kushtetutës dhe i ligjeve. Në këtë aspekt disa vështirësi po e shoqërojnë praktikën gjyqësore në Kosovë. Duke u angazhuar për zbatim të kushtetutshmërisë dhe ligjeve ai porositi:"Duhet të krijohet një praktikë që të jemi fanatik në zbatimin e ligjeve". Në vijim kreu i legjislativit të vendit tha se në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë duhet të bëhet një analizë në të dy vendet në lëmin e ligjshmërisë, për të lënë prapa praktikat jo të mira në lëmin e gjyqësisë.

Z. Bashkim Dedja pasi u falënderua për pritjen tha se secili duhet të bëjë detyrën e vet,secili gjykatës e ka për detyre të respektojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Në vazhdim ai vlerësoi punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila , si tha ai, ka marrë vendime të rëndësishme.

Gjatë takimit u tha se gjykatat kushtetuese nga të dyja vendet kanë arritur një bashkëpunim shumë të mirë, i cili duhet të thellohet edhe më,duke ditur se dy vendet kanë shumë gjëra të përbashkëta.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë