Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

E Enjte, 15.11.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013.

Projektligjin e paraqiti ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili, në fjalën e tij theksoi se ky buxhet është diskutuar në detaje nga tri misione të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe është harmonizuar me këtë institucion të rëndësishëm financiar ndërkombëtar. Ai tha se gjatë hartimit, janë marrë në konsideratë prioritetet e qeverisë, duke respektuar prioritetin kryesor të saj, rritjen ekonomike në vend, e cila, sipas ministrit, gjatë vitit të ardhshëm pritet të jetë 4.5 për qind.

Ministri i Financave u ndal në përmbajtjen e projektligjit, duke shpalosur hollësi nga planifikimet për të gjitha kategoritë buxhetore, të hyrat dhe shpenzimet. Ai tha se edhe në vitin 2013 vazhdon trendi i investimeve kapitale, sikurse edhe atyre private, eksportit, shpenzimeve etj. Ai shtoi se buxheti është i bazuar në burime të qëndrueshme dhe veçori kryesore e tij është trendi i rritjes nga viti në vit. Të hyrat, sipas tij, pritet të kenë rritje prej tre për qind, duke siguruar mjete të mjaftueshme për përfundimin e autostradës me Shqipërinë dhe fillimin e autostradës së re Prishtinë-Shkup, vazhdimin e punimeve në rrugën Prishtinë-Pejë, rrugën Prishtinë-Mitrovicë etj., për objekte të reja shkollore, subvencione në bujqësi, reforma në shëndetësi e fusha të tjera.

Ministri Hamza foli edhe për përfitimet që Kosova ka pasur dhe do të ketë nga marrëveshja me FMN-në.

Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj, duke arsyetuar raportin me rekomandime të komisionit, theksoi se komisioni e ka shqyrtuar projektligjin dhe ka vlerësuar se ai është përgatitur teknikisht mirë, brenda afateve dhe kornizës ligjore. Ajo tha se projektbuxheti është harmonizuar me FMN-në dhe është bazuar në analizat makroekonomike të cilat janë pjesë e këtij dokumenti dhe në planin që ka qeveria për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Deputetja Hadërgjonaj tha se në projektligj, të hyrat e përgjithshme janë parashikuar të jenë 1 miliard e 425 milionë euro, me një rritje prej 3 për qind krahasuar me vitin paraprak.

"Projektbuxheti është hartuar në përputhje me objektivat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, qeverisje të mirë dhe fuqizim të sundimit të ligjit, zhvillim të resurseve njerëzore dhe rritje të mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët. Kështu që Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka përkrahur në parim dhe ka rekomanduar që të miratohet në seancë plenare, në mënyrë që t'i jepet mundësia komisionit që të bëjë plotësim-ndryshimet e nevojshme", theksoi Hadërgjonaj.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetja Hasime Krasniqi, Projektligjin për buxhetin e konsideroi të një rëndësie të veçantë për Kosovën, i cili, sipas saj, dëshmon se qeveria është në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit dhe interesave të tyre. Ajo tha se projektbuxheti është rezultat i punës dhe i përpjekjeve të institucioneve të vendit, për hartimin e një buxheti që garanton zhvillim ekonomik dhe përmirësim të vazhdueshëm të mirëqenies së qytetarëve.

"Edhe përkundër vështirësive ekonomike nëpër të cilat po kalon jo vetëm Kosova dhe vendet e rajonit, por edhe shtetet më të zhvilluara të Evropës, me këtë projektbuxhet, Qeveria e Kosovës, me politikat e saj shtetformuese, vazhdon ta ruajë qëndrueshmërinë makrofiskale, duke ofruar mbulesë të plotë buxhetore për të gjitha projektet kapitale dhe për të gjitha shërbimet publike që janë në dobi të qytetarëve", u shpreh deputetja Krasniqi, duke konfirmuar përkrahjen e GP të PDK-së për këtë projektligj.

Duke prezantuar qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kundër Projektligjit për buxhetin, deputeti Naser Osmani e konsideroi atë buxhet që vulosë varfërinë në Kosovë, i mbyt shpresat e qytetarëve për jetë më të mirë, i falimenton bizneset vendore dhe e çon ekonominë e Kosovës edhe më tej në kolaps. Ai tha se ky nuk është buxhet i zhvillimit, pasi që, sipas tij, nuk mbështetet në asnjë objektivë zhvillimore dhe nuk siguron qëndrueshmëri buxhetore.

"Nuk mund të prodhojë zhvillim ky projektbuxhet, kur 60 për qind e investimeve kapitale shkojnë për infrastrukturë", theksoi deputeti Osmani. Ai kërkoi rishikimin e shpërndarjes së investimeve kapitale, sidomos në arsim e infrastrukturë rrugore dhe shpërndarjen e tyre nëpër komuna, bazuar në formulën për shpërndarjen e granteve nëpër komuna.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Visar Ymeri, tha se buxheti i vitit 2013 nuk ka dallim thelbësor me atë të vitit 2012, por as me atë të vitit 2011, 2010, apo të vitit 2009. E njëjta logjikë e të buxhetuarit dhe të njëjtit sektorë ekonomikë, sipas tij, vazhdojnë ta marrin pjesën më të madhe të parasë publike pa kurrfarë planifikimi a indikacioni që këto do të ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

"Në njërën anë kemi deklarimet e shumta të zyrtarëve të Qeverisë se kemi përmirësime të dukshme në ekonominë e vendit, si dhe në logjikën qeverisë përmes publikimeve të planeve strategjike zhvillimore, ndërkohë që në anën tjetër e kemi buxhetin i cili na përsëritet prej vitit në vit. Pra, ose buxheti nuk po e reflekton realitetin e ndryshuar, ose realiteti nuk është baza mbi të cilën ndërtohen deklarimet e pushtetarëve", theksoi Ymeri, duke u deklaruar kundër këtij projektligji.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, theksoi se njëri prej problemeve të mëdha në këtë buxhet, janë projektet e bartura, ndërsa projektet e reja, sipas tij, janë jashtëzakonisht në numër të vogël. Ai u ndal edhe në prioritetet e përcaktuara në këtë projektligj, duke theksuar se ndërtimi i rrugëve është i rëndësishëm, mirëpo shtoi se në këtë aspekt, rajoni i Dukagjinit vazhdon të jetë i diskriminuar. Përkitazi me këtë, ai theksoi se Qeveria e Kosovës, bashkë me Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit, ka mundësi që ta vazhdojë rrugën prej Gjurgjicës deri në Klinë.

Duke konfirmuar mbështetjen e GP të AAK-së për këtë projektligj në shqyrtimin e parë, Gjini theksoi se partia e tij rezervon të drejtën për të mos e votuar atë në shqyrtimin e dytë, në qoftë se gjatë amendamentimit të tij, nuk merren parasysh kërkesat e saj.

Përkrahjen për projektbuxhetin e konfirmuan edhe grupet e tjera parlamentare, pjesë të koalicionit qeveritar. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re (KKR), Myzejene Selmani, tha se projektbuxheti për vitin 2013 është projektbuxhet i mundësive, ku rritja ekonomike arrihet nga investimet kapitale dhe nga një pjesë e investimeve private. Ajo shtoi se ky dokument është projektuar në bashkëpunim me FMN-në, duke ruajtur qëndrueshmërinë makro-fiskale në Kosovë.

Deputetja Selmani theksoi se kërkesat janë për rritje më të madhe ekonomike dhe se u mbetet institucioneve që të punojnë për një zhvillim më të madh ekonomik. Duke i dhënë përkrahje projekt-buxhetit, ajo tha se këto janë taksa të qytetarëve dhe të mirat nga to duhet t'u kthehen prapë qytetarëve.

Deputetja Jelena Bontiq nga Grupi Parlamentar i SLS-së, e konsideroi buxhetin të balancuar dhe në favor të zhvillimit të vendit. Ajo tha se përkundër përpjekjeve të mëdha për rritjen e tij, buxheti ende nuk i përmbush të gjitha nevojat.

Projektbuxhet të mundësive reale e cilësoi edhe deputetja e Grupit 6 Plus, Duda Balje. Ajo shfaqi bindjen që ky buxhet do të ndikojë në ndërtimin e infrastrukturës ku jetojnë komunitetet që përfaqëson ky grup parlamentar, siç janë Prizreni dhe Dragashi.

Në vazhdim, deputetë të Kuvendit elaboruan gjerësisht përmbajtjen e projektligjit, duke e vlerësuar pozitivisht atë, por edhe duke dhënë vërejtje dhe propozime për ndryshimin e tij. Deputetë të partive në pushtet vlerësuan të arriturat e deritashme në të gjitha lëmenjtë, si dhe planifikimet buxhetore për vitin 2013, ndërkaq deputetë opozitarë folën me tone kritike për shpërndarjet nëpër komuna dhe kategori buxhetore.

Pas diskutimit të deputetes Sala Berisha-Shala, GP i LDK-së paralajmëroi lëshimin e mbledhjes në qoftë se deputetja Shala nuk do të kërkojë falje për një pjesë të fjalës së saj. Kuvendi shkoi në pauzë 10-minutëshe dhe pas kthimit në sallë, deputetja Shala kërkoi falje, duke thënë se është keqkuptuar dhe se nuk ka pasur për qëllim të ofendojë askënd. Më pas, Kuvendi vazhdoi punimet normalisht.

Pas shterjes së debatit, Kuvendi miratoi Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013 dhe ngarkoi komisionin përkatës parlamentar që ta shqyrtojë dhe amendamentojë atë brenda afatit të përcaktuar ligjor.

Mbledhja e sotme e Kuvendit filloi me pikën e zakonshme të deklarimeve jashtë rendit të ditës, ndërkaq, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministrat: Agim Çeku, Nenad Rashiq dhe Ramë Buja.

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës