Lajmet e fundit

Komisionin për Punë të Jashtme priti delegacionin parlamentar nga Egjipti

E Enjte, 15.11.2012





Në kuadër të vizitës zyrtare treditore në Kosovë delegacioni parlamentar nga Egjipti, i prirë nga Ahmed Fahmy Ahmed, kryetar i Këshillit Shura (Dhoma e Lartë - Këshilli Konsultativ), është pritur sot nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Takimin e ka drejtuar kryetari i Komisionit, Albin Kurti, i cili duke u uruar mirëseardhje parlamentarëve egjiptianë, i ka përgëzuar ata dhe popullin e Egjiptit për triumfin e revolucionit demokratik. "Pranvera Arabe" dëshmoi se diktaturat mund të zgjasin, por se ato detyrimisht një ditë edhe do të përmbysen", ka theksuar Kurti, duke shprehur vlerësime të larta për popullin egjiptian dhe shtetin e tyre të lashtë, të fuqishëm dhe me ndikim në botën arabe dhe në Konferencën Islamike. Ai është shprehur i bindur se Egjipti mund të luajë rol të rëndësishëm për njohjen e Kosovës nga një varg vendesh aziatike dhe afrikane.

Kurti i ka njoftuar parlamentarët egjiptian për zhvillimin e pamjaftueshëm të Kosovës dhe papunësinë në rritje, sidomos ndër të rinjtë dhe për sfidat e Kosovës për sa i përket ushtrimit të sovranitetit dhe integritetit të vendit. Ai me këtë rast ka shpjeguar me shifra dhe fakte pasojat e luftës, të shkaktuar nga regjimi i Beogradit, i cili vazhdon t'i mbajë strukturat paralele të tij në veri të Kosovës. Për pasojë të saj Qeveria e Kosovës po detyrohet të Bisedojë me Serbinë për çështje të saj të brendshme dhe të bëjë koncesione të vazhdueshme, ka thënë Kurti.

"Populli i Egjiptit vlerëson lart patriotizmin e popullit të Kosovës dhe sakrificat e tij sublime për lirinë e vendit", ka theksuar Ahmed Fahmy Ahmed, kryetar i Këshillit Shura, të Egjiptit. Ai është shprehur i bindur se populli i Egjiptit vazhdimisht do ta mbështesë Kosovën dhe popullin e saj. Ahmed ka shprehur nevojën për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të tij dhe Kosovës, duke u shfaqur shpresën për njohjen e vendit tonë në një kohë jo shumë të largët. Ai i ka vlerësuar lart virtytet morale të popullit të Kosovës, duke spikatur se vlerat morale e unifikojnë popullin. " Është e rëndësishme që serbët t'i pranojnë ato që i kanë shkaktuar popullit të Kosovës dhe të kërkojnë falje", ka thënë parlamentari egjiptian, duke iu referuar bisedimet politike Kosovë-Serbi.

Anëtari i Komisionit dhe ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, ka theksuar tratativat e tij në kontakte me qeveritarët egjiptianë për ta njohur Kosovën dhe premtimet që kishte marrë nga ish-mistri i Jashtëm i Egjipti, se kështu edhe do të ndodhte pas opinionit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e i cili premtim nuk u realizua. Duke u shprehur optimist se Qeveria e re e Egjiptit do ta mbështesë Kosovën në rrugën e afirmimit ndërkombëtar të saj, ka shfaqur vullnetin e klasës politike të Kosovës për komunikim të ngushtë dhe modern me institucionet e Egjiptit.

Ka qenë pajtim i plotë i delegacioneve bashkëbiseduese se dy popujt dhe dy shtetet duhet të bashkëpunojnë sa më ngushtë.

 

Komisionin për Punë të Jashtme  priti delegacionin parlamentar nga Egjipti