Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti delegacionin egjiptian kryesuar nga kryetari i Dhomës së Lartë, Ahmed Fahmy Ahmed
E Mërkure, 14.11.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim kryetarin e Këshillit Shura (Dhoma e Lartë - Këshilli Konsultativ) të Egjiptit, Ahmed Fahmy Ahmed,i cili në krye të një delegacioni të gjerë parlamentar, me ftesë të kryekuvendarit Krasniqi, po qëndron në vizitë zyrtare treditore në Kosovë. Në fillim kryekuvendari Krasniqi përshëndeti delegacionin për këtë vizitë, ndërkaq në vazhdim u falënderua për këtë vizitë edhe kryetari i Dhomës së Lartë, Ahmed Fahmy Ahmed, i cili shprehu edhe urimet e tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës. Ai në vazhdim tha:"Si Parlament ne përkrahim Kosovën në të gjithë lëmenjtë".
Në vazhdim kryekuvendari Krasniqi tha se Egjipti në periudhën deri sa të njohë pavarësinë e Kosovës mund të hapë një zyrë në Prishtinë, siç kanë bërë edhe disa shtete. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Egjiptit, tha kryetari i Kuvendit Krasniqi janë shumë të mira, sidomos pas këtyre vizitave reciproke. "Ne kemi pasur që në lashtësi marrëdhënie shumë të mira, ndaj e kemi lehtë të ripërtërijmë marrëdhëniet. Urojmë që periudha e tranzicionit të kalojë sa më shpejt, ndërsa krahas fuqizimit të jetës institucionale në Egjipt të forcohen edhe marrëdhëniet në mes dy vendeve tona", theksoi kreu i legjislativit të vendit. Ai në vijim njohu delegacionin për të arriturat e Kosovës në fushën e legjislacionit dhe të zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik. Ai i bëri edhe një vështrim krijimit të një tradite balancimi në raportin pozitë-opozitë në parlament, në të cilin ekziston një koncenzus për çështje me interes nacional. Kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim edhe të kaluarës historike të Kosovës deri në pavarësinë e saj.
Duke marrë fjalën z. Ahmed Fahmy Ahmed, edhe njëherë përgëzoi kryekuvendarin për gjithë këto të arritura, ndërkaq në vijim tha se do të angazhohet për të inkurajuar hapjen e Zyrës së Egjiptit në Kosovë,posa delegacioni të kthehet në Egjipt. Ai tha se pas revolucionit Egjipti ka pikëpamje të reja ndaj Kosovës. Populli i Egjiptit e përkrah pavarësinë e Kosovës, rezervat ndaj kësaj çështjeje i takojnë së kaluarës. Ndërkaq, derisa të hapet ambasada e Egjiptit në Kosovë duhet të vazhdojë thellimi i marrëdhënieve kulturore e ekonomike ndërmjet dy vendeve. Edhe përfaqësuesit tjerë të delegacionit theksuan se deri në njohjen e Kosovës nuk ka pengesa për thellimin e marrëdhënieve të dyanshme. Një anëtar i delegacionit egjiptian shprehu shpresën se në vizitën tjetër do të festohet hapja e ambasadës së Egjiptit në Kosovë.
Në konferencën për media kryekuvendari Krasniqi vlerësoi lart rëndësinë e vizitës së delegacionit parlamentar, duke theksuar se këto vizita po thellojnë format e bashkëpunimit në shumë segmente. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Egjiptit, tha ai, është çështje e momentit.
Kryetari i Dhomës së Lartë, Ahmed Fahmy Ahmed pohoi se Egjipti është përkrahës i Kosovës dhe vlerëson pavarësinë dhe lirinë së saj."Jemi në përfundim të rrugës së njohjes së pavarësisë së Kosovës, po them njohjes, megjithëse Kosova është në zemër të Egjiptit", theksoi Ahmed Fahmy Ahmed.