Lajmet e fundit

Nga tryeza: Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë - rëndësia dhe nevoja

E Mërkure, 14.11.2012




Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, deputetja Alma Lama, me mbështetje të UNDP-së, organizoi tryezën me temë: Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë - rëndësia dhe nevoja! Të pranishëm dhe kontribuues në këtë tryezë ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Steliana Nedera, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të organizatave të cilat drejtpërdrejt janë të angazhuara në fushën e gazetarisë.

Duke hapur këtë tryezë, propozuesja e këtij projektligji, deputetja Alma Lama tha se qëllimi i projektligjit është garantimi i lirisë së shprehjes dhe mbrojtja më e mirë për media. "Ky projektligj përputhet edhe me agjendën e integrimit të Kosovës në BE, ku liria e mediave është një nga kriteret kryesore politike dhe ofron mbështetje për gazetarët edhe në rast të gjendjes jashtëzakonshme, kur pezullohen disa të drejta apo liri të njeriut", u shpreh deputetja Lama.

Zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Steliana Nedera shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e këtij diskutimi të rëndësishëm dhe theksoi se liria e shprehjes është shumë e rëndësishme në ndërtimin e institucioneve demokratike. "Implementimi i kornizës ligjore ekzistuese si dhe përfshirja e shoqërisë civile në hartimin dhe monitorimin e legjislacionit, si atij primar po ashtu edhe atij sekondar, është shumë e rëndësishme", tha ajo.

Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, theksoi se nismat e tilla meritojnë mbështetje. "Liria e shprehjes është vlerë e gjithë shoqërisë dhe se adoptimi i këtij ligji do të ofrojë mbrojtje për gazetarët ", theksoi ai.

"Në parim ligji është i nevojshëm dhe se tani po vazhdon konsultimi me gjithë anëtarësinë për të marrë një qëndrim lidhur me formatin e ligjit. Mirëqenia e lirisë së shtypit pasqyron mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve", tha, ndërkaq, kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti.

Më tej në tryezë, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri, theksoi se një ligj tillë kontribuon në krijimin e një standardi integrues për media. "Edhe pse një ligj i tillë mungon në Shqipëri, ky do të mund të përdorej si shembull i mirë për përmbushjen e një vakumi ligjor në këtë kohë të pluralizmit mediatik", tha ai.

Duke elaboruar situatën ekzistuese në Kosovë dhe raportin me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, deputetja Vjosa Osmani, nënvizoi se përveç se Kushtetuta edhe suksedimi i traktateve e obligon Kosovën në zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ligji është i domosdoshëm për shkak se liria e mediave duhet patjetër të definohet me ligj dhe se kufizimi i lirisë së shprehjes shkel parimet e demokracisë.

Lidhur me ndërlidhjen e projektligjit të propozuar me kornizën ligjore në Kosovë, Avni Zogiani, nga Qendra kosovare për gazetari hulumtuese, theksoi se nismat pozitive duhet të përkrahen. "Megjithatë, në Kosovë vazhdon të mungojë gazetaria hulumtuese, derisa media duhet të ecë më përpara se sa legjislacioni", tha ai.

Gjithashtu, kontribut të veçantë në tryezë dha edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, i cili tha se ky projektligji i propozuar është shumë i nevojshëm për Kosovën. "Besoj se projektligji do të gjejë përkrahjen e duhur derisa konsideroj se njëkohësisht është nevojshëm edhe trajnimi i gjykatësve të cilët merren me këtë çështje", nënvizoi ai.

Në fund të tryezës u tha se komentet dhe sugjerimet e propozuara nga profesionistët do të inkorporohen në projektligjin e propozuar në mënyrë që brenda afateve të caktuara, ai amendamentohet dhe të paraqitet në Kuvend për miratim, veçanërisht porsa i përket çështjes së blogjeve.

 

 

Nga tryeza: Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë - rëndësia dhe nevoja