Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 14.11.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, (një pjesë të së cilës e kryesoi edhe nënkryetari i komisionit, Ramiz Lladrovci), u shqyrtua raporti i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin 2011.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, si dhe zv. auditori i përgjithshëm, Artan Venhari.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, anëtarët e komisionit theksuan se raporti për MBPZHR-në është me opinion të pakualifikuar, me theksim të çështjes. U tha se bazuar në raport, një pjesë e tabelës së pasqyrave financiare nuk janë prezantuar drejt, sidomos ato që kanë të bëjnë me regjistrimin e pasurisë.
Tutje, u theksua se në raportin e vitit të kaluar nga ZAP-i janë dhënë 9 rekomandime, të cilat është dashur të adresohen gjatë vitit 2011. Nga këto rekomandime, janë adresuar vetëm tri sosh, pesë janë në proces, ndërkaq, një rekomandim nuk është adresuar.
Disa nga anëtarët e komisionit duke vlerësuar se pasqyrat financiare të kësaj ministrie janë prezantuar mirë, theksuan se sa i përket çështjes së prokurimit, nga 67 mostra të ekzaminuara, ka vetëm tri gjetje.
U tha se në asnjë raport të ZAP-it, sa i përket organizatave buxhetore, nuk ka pasur më pak të gjetura se sa në MBPZHR.
Tutje, ministri Stavileci tha mes tjerash se MBPZHR-ja synon të shkojë drejt përmirësimit të mëtejmë, në mënyrë që këto raporte të jenë edhe më të mira gjatë viteve të ardhshme. Përfaqësues tjerë të MBPZHR-së duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit vlerësuan kjo ministri i ka marrë shumë afër rekomandimet e ZAP-it dhe janë munduar t'i implementojnë, duke përmendur mes tjerash edhe hartimin e planit të veprimit gjatë vitit 2012.
Ndërkaq, përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, theksuan se në Ministrinë e Bujqësisë, janë hasur lëvizje shumë të mëdha,duke përmendur regjistrimin e pasurisë. "Qëllimi ynë është që të ndihmojmë menaxhmentin e MBPZHR-së që të evidentojë edhe lëshimet e vogla", tha zv. auditori i përgjithshëm, Artan Venhari, duke sqaruar me tej se ZAP-i aktualisht është në proces të auditimit të kësaj ministrie.