Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Marte, 13.11.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, ka shqyrtuar Marrëveshjen për bashkëpunim financiar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, raportin nëntëmujor të shpenzimeve të Kuvendit dhe disa projektligje.
Marrëveshjen për bashkëpunim financiar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Austrisë, para komisionit e prezantoi zv/ministri i Financave, Ramadan Avdiu, të cilën e konsideroi të një rëndësie të veçantë për Kosovën. Komisioni e përkrahu atë, duke i rekomanduar seancës plenare ratifikimin e saj.
Në vazhdim, u rishqyrtua raporti me amendamente të grupit punues të komisionit për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë. Pas diskutimeve, edhe ky projektligj u përkrah nga komisioni.
Me disa plotësime, u përkrahën gjithashtu, propozimet e grupit punues të komisionit për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për fondet pensionale.
U konstatua, ndërkaq, se Projektligji për mbrojtjen e bimëve, me amendamente të komisionit funksional, nuk përmban implikime shtesë buxhetore dhe mori përkrahjen e anëtarëve të komisionit.
Drejtori i Administratës së Kuvendit, Emrush Haxhiu, paraqiti para komisionit raportin nëntëmujor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2012. Drejtori Haxhiu pasqyroi me shifra konkrete shpenzimet e Kuvendit gjatë kësaj periudhe nëntëmujore, në të gjitha kategoritë buxhetore.
Komisioni përkrahu raportin dhe i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit miratimin e tij.