Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 12.11.2012




Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që gjatë kësaj jave të mbahen dy mbledhje plenare të Kuvendit.

Seanca e së enjtes (më 15 nëntor) i kushtohet shqyrtimit të parë të Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitit 2013. Arsyetimin e këtij projektligji, shumë të rëndësishëm për vendin, para deputetëve pritet ta bëjnë kryeministri i Kosovës, Hashim Taçi dhe ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Bedri Hamza.

Në këtë seancë, si rëndom, deputetët pritet të ngrenë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Kryesia ka miratuar kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ta informuar Kuvendin lidhur me takimin e tij të dytë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Për bisedimet që po zhvillohen me Serbinë, kryeministri do të flasë në seancën e së premtes.

Në po këtë seancë, deputetët do të kenë mundësinë të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës. Do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, Projektligji për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve "Shota" dhe për ansamblet tjera, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës.

Duke e shqyrtuar kërkesën për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, në mbledhje është theksuar se Menaxhmenti i Komisionit të Pavarur për Media, i ka dorëzuar në Kuvend dosjet e plota të aplikimeve për kandidatët e nominuar për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media. Në bazë të nenit 11 të Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media, Kuvendi formon Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media. Kryesia e Kuvendit kërkon nga Grupet parlamentare që t'i propozojnë anëtarët e këtij komisioni, sipas fuqisë numrit të deputetëve në grupe parlamentare. Komisioni ad hoc duhet të përbëhet prej 9 anëtarëve: PDK -2, LDK-2 ,VV- 1, AAK -1, KKR-1, SLS-1 dhe 6+ 1. Kryesia kërkon nga Grupet parlamentare që Kuvendit t'ia propozojnë anëtarët për formimin e Komisionit Ad-hoc për seancën e radhës, , në mënyrë që të formalizohet përbërja e këtij komisioni.

Kryesia ka mbetur ta shqyrtojë edhe një herë kërkesën Grupit të Grave Deputete për ndihmë financiare për blerjen e aparaturës së Mamografit Mobil, pasi të marrë informata shtesë për këtë projekt të grave deputete.

Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar lidhur me pjesëmarrjen e komisioneve parlamentare në konferencën e mbajtur në Mal të Zi, si dhe për vizitën e Komisionit për Arsim të realizuar në Bullgari.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit