Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Blomeyer

E Premte, 09.11.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim njohës ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, dr.Peter Blomeyer, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe për marrëdhëniet gjithnjë në rritje ndërmjet dy vendeve.

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe përgëzuar për detyrën e re që ka marrë në krye të Ambasadës gjermane në Prishtinë, kryeparlamerntari Krasniqi ka shfaqur kënaqësinë që ambasadori Blomeyer e njeh mirë situatën në rajon (pasi ka qenë ambasador në Tiranë, nga 1999-2001), dhe në njëfarë mënyre është i ambientuar me këtë pjesë të Evropës Jug-lindore. Ai e ka falënderuar për ndihmën shumë të madhe të Gjermanisë për Kosovën gjatë gjithë këtyre viteve dhe ka vlerësuar lart kontributin e trupave gjermane në kuadër të KFOR-it, duke u shprehur i bindur për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, sidomos në planin ekonomik. Ai ka pohuar se bashkatdhetarët tanë të shumtë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani janë faktorë të rëndësishëm të krijimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, dr.Peter Blomeyer, ka shprehur kënaqësinë për progresin e Kosovës gjatë viteve të pasluftës. " Po e shoh një vend të lirë që po zhvillohet dhe që synon me të drejtë integrimin evropian", është shprehur Blomeyer, i cili ka theksuar se i kupton qytetarët e Kosovës që dëshirojnë proces më të shpejtë të liberalizimit të vizave me BE-në dhe të arritjes së marrëveshjes së asocim-stabilizimit. Ai, ndërkaq, është shprehur optimist se Kosova në ardhmen jo shumë të largët do të jetë anëtare e BE-së. Në këtë vështrim ai e ka vlerësuar të domosdoshëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse, ka përkujtuar ambasadori gjerman, Bashkimi Evropian është edhe traktat paqeje, drejtësie dhe bashkëpunimi.

Kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar lehtësi nga vendet e BE-së për rrugën evropiane të Kosovës. Ai, ndërkaq , ka theksuar se duke e ndihmuar Serbinë që të heqë dorë nga mbështetja e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës, i ndihmohet më së miri edhe Serbisë edhe Kosovës të jenë fqinjë të mirë dhe anëtarë të zellshëm, në të ardhmen, të BE-së.

Kryeparlamentari  Krasniqi priti ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë,  Blomeyer