Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit

E Enjte, 08.11.2012




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të kësaj mbledhje e udhëhoqi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan tri projektligje në leximin e parë, ndërkaq, me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së, u shty shqyrtimi i dytë i Projektligjit për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit. Po ashtu, në këtë mbledhje, Kuvendi ratifikoi një vendim të Qeverisë së Kosovës dhe shqyrtoi disa vendime të saj.

Sikurse në praktikën e deritashme edhe mbledhja e sotme filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: Deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Pas kësaj, deputetët shqyrtuan në lexim të parë Projektligjin për investimet e huaja, arsyeshmërinë e të cilit në emër të Qeverisë e paraqiti zv. kryeministri dhe ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Lidhur me këtë, u deklaruan edhe shefat e grupeve parlamentare, me ç'rast u vunë re qëndrime të kundërta në mes tyre. Gjatë një debati të gjatë lidhur me këtë projektligj, deputetët që mbështesnin atë thanë se ai i mbron interesat e investitorëve të huaj dhe vendor e i cili do të ndikojë fuqishëm edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Deputetët që kundërshtuan projektligjin insistuan të faktojnë se projektligji favorizon vetëm investitorët e jashtëm dhe nuk ndikon në zhvillimin e ekonomik. Pas shterjes së debatit, kryesuesi i mbledhjes e hodhi në votim projektligjin, i cili nuk mori votat e mjaftueshme për miratim në Kuvend.

Në vijim, deputetët shqyrtuan dhe përkrahën në parim Projektligjin për Avokaturën Shtetërore dhe Projektligjin për Agjencinë e Regjistrimit Civil. Këto projektligje u paraqitën dhe u arsyetuan nga ministrat e kabinetit qeveritar, përkatësisht, ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Pas shqyrtimit të këtyre projektligjeve, deputetët vijuan me shqyrtimin e Raportit vjetor të Auditimit për vitin 2011. Lidhur me këtë, sipas kërkesës së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, para deputetëve raportoi Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Oloffson. Sipas tij, menaxhimi financiar nga ana e Qeverisë ka përparuar, por, duhet edhe më tej të avancojë raportimi i menaxhimit të brendshëm dhe transparenca në prokurim. Kemi audituar të gjitha nivelet, tha në vijim Oloffson, dhe shtoi: "Kemi vërejtur se disa nga problemet qëndrojnë në linjat ministrore dhe agjencioneve që janë nën ombrellën e tyre menaxhuese". Duke iu referuar gjendjes nëpër komuna, ai vlerësoi se duhet të riinstalohen menaxherët ekzekutiv për shërbim të qytetarëve dhe kryetarëve të komunave. Auditori i Përgjithshëm në vijim të paraqitjes së tij lavdëroi dhe inkurajoi Qeverinë që të vijojë me reforma dhe me zbatimin e ligjeve, ku me këtë rast përmendi Ligjin për shërbyesit civil dhe Ligjin për pagat e shërbyesve civil. Ndër sfidat që Auditori i Përgjithshëm ngriti me këtë rast ishte borxhi i KEK-ut, ndaj Qeverisë dhe paqartësia në linjat e llogaridhënies. Ai, po ashtu foli edhe për procesin e privatizimit, për të cilin tha:" Është shumë i komplikuar dhe vështirë për tu kuptuar". Në fund të fjalës së tij, Oloffson, i rekomandoi Qeverisë që në Raportin e vitit të ardhshëm të ndryshojë mënyrën e raportimit, ndërkaq, nga deputetët kërkoi që të marrin informata nga Qeveria lidhur me atë se çfarë është bërë dhe arritur deri më tani. Pas kësaj, u deklaruan edhe shefat e grupeve parlamentare, të cilët ndonëse potencuan avancimin në fushën e auditimit, ngritën një varg çështjesh në Raport. Në të njëjtën frymë u zhvillua edhe debati ku u vunë re dallimet në mes të deputetëve. Pas kësaj, Raporti u hodh në votim, me ç'rast deputetët e miratuan atë (me vetëm një votë kundër).

Pas kësaj, Kuvendi ratifikoi Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Universitetit të Prizrenit dhe të Universitetit të Pejës. Për këto universitete, foli ministri i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja. Ai me këtë rast tha se në këto universitete do të aftësohen kuadro për të mirën e vendit. Lidhur me Universitetin e Prizrenit, në të cilin aktualisht vijojnë studimet 5452 studentë, ministri Buja po ashtu njoftoi se Qeveria në një mbledhje të mëhershme ka marrë vendim që ky universitet të mbajë emrin e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti. Për sa i përket Universitetit të Pejës "Haxhi Zeka", ministri njoftoi se në të janë duke vijuar studimet mbi 6000 studentë.

Po ashtu, në këtë mbledhje, Kuvendi miratoi edhe Propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës. Për këtë Propozim- vendim, foli zv. kryeministri dhe ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Në fund të mbledhjes së sotme, deputetët shqyrtuan dhe miratuan edhe rekomandimet e Komisionit për Legjislacion për emërimin e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.

 

Nga mbledhja e rregullt e KuvenditNga mbledhja e rregullt e KuvenditNga mbledhja e rregullt e KuvenditNga mbledhja e rregullt e Kuvendit