Lajmet e fundit

Takim i Grave Deputete me Jacopo Leone Mc Donald

E Enjte, 08.11.2012




Para disa muajsh nga përgjigjet nga pyetësori i OSBE -ODHIR, është vlerësuar se Grupi i Grave Deputete nga Kosova janë një prej grupeve më funksionale që kane arritur të përfshijnë të gjitha partitë dhe të gjitha nacionalitetet në aktivitetet e tyre, duke arritur të ngrisin shumë çështje që fuqizojnë rolin e gruas në politikë, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal. GGD-ja ka Strategjinë e veprimit, planin vjetor të punës, janë të koordinuar me asambletë komunale, forumet e grave të partive politike, shoqërinë civile etj. Ato janë shumë aktive në politikë dhe në sektorë të ndryshëm të jetës. Ky ishte konstatim thelbësor, të cilin eksperti i OSBE-ODHIR-it, Jacopo Leone Mc Donald, e kishte nxjerrë nga analiza e pyetësorit të bërë më herët dhe nga informatat që i kishte grumbulluar lidhur me punën e Grupit të Grave Deputete. Këto ishin disa nga konstatimet e takimit të z. Jacopo Leone Mc Donald me udhëheqjen e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga znj. Teuta Sahatqija,kryetare e GGD-ës. Duke folur për angazhimin e Grupit të Grave Deputete, lidhur me përfshirjen dhe perspektivën gjinore në ligje,z. Sahatqija tha se Grupi i Grave Deputete po gjen përkrahje edhe te disa deputet, ndërsa kur është fjala për demokratizimin e shoqërisë dhe barazinë në mes gjinive gratë deputete janë gjithnjë bashkë.

Deputetet Flora Brovina e Donika Kadaj -Bujupi folën për sfidat dhe angazhimet e deputeteve dhe grave tjera për të rritur rolin e gruas në shoqëri. Ato njëkohësisht thanë se GGD-ja deri tani ka vepruar pa pasur buxhet, por me përkrahje të organizatave, si: OSBE, NDI, UNDP etj. Janë organizuar shumë aktivitete, tryeza, etj., theksuan ato. Znj. Sahatqija në fund përgëzoi edhe Marija Berishën nga OSBE-ja për angazhimin e saj në aktivitetet e përbashkëta me GGD-ën, si dhe falënderoi OSBE-në për përkrahjen e GGD-ës me këshilltaren, znj. Grajçevci.

 

Takim i Grave Deputete me Jacopo  Leone Mc Donald