Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në Konferencën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas

E Enjte, 08.11.2012




Ligji për Ndihmë Juridike Falas, i cili zbatohet nëpërmjet Komisionit, ka për qëllim të krijojë një sistem funksional për ndihmë juridike falas gjatë zhvillimit të procedurës gjyqësore, qoftë ajo penale, civile, kundërvajtëse apo administrative, me të cilën sigurohet qasje efektive në drejtësi për qytetarët të cilët nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare. Kosova me themelimin e këtij organi të pavarur, të parin në rajon, dëshmon se objektiv parësor ka sundimin e ligjit dhe respektimin e drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, theksoi Kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi në Konferencën rajonale për Ndihmë Juridike Falas.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës mori pjesë në Konferencën Rajonale me temën: "Ndihma Juridike Falas dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal" që u mbajt në Hotelin Sirus, në Prishtinë, të organizuar nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi në fjalën e tij theksoi se në Kosovë, ndihma juridike falas përcaktohet si kategori kushtetuese, sipas së cilës ajo u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, kur një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasje efektive në drejtësi.
Dr. Jakup Krasniqi tha se realizimi apo zbatimi praktik i kësaj të drejte tanimë është e rregulluar edhe me Ligjin për Ndihmë Juridike Falas, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në këtë vit dhe me themelimin e Komisionit për ndihmë juridike, si organ i pavarur. Ai shtoi se ky ligj, i cili zbatohet nëpërmjet të këtij Komisioni, ka për qëllim të krijojë një sistem funksional për ndihmë juridike falas gjatë zhvillimit të procedurës gjyqësore, qoftë ajo penale, civile, kundërvajtëse apo administrative, me të cilën sigurohet qasje efektive në drejtësi për qytetarët të cilët nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare. "Me këtë, u njihet e drejta në shërbime profesionale juridike falas të të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës apo të tjerë, të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara me këtë ligj. Kosova me themelimin e këtij organi të pavarur, të parin në rajon, dëshmon se objektiv parësor ka sundimin e ligjit dhe respektimin e drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve dhe në këtë aspekt pret bashkëpunimin e të gjitha shteteve fqinje dhe të rajonit" tha kreu i Kuvendit duke uruar që kjo konferencë, në trajtimet e shqyrtimet e saj profesionale të sintetizojë përvojën rajonale dhe ndërkombëtare të ndihmës juridike falas, t'u kontribuojë përparimit të drejtave sipas konventave ndërkombëtare, bashkëpunimit rajonal e reciprocitetit ndërshtetëror në realizimin e ndihmës juridike falas dhe të nxjerrë rekomandime të vlefshme për këtë fushë.

 

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në Konferencën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas