Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane priti sot kryesuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesin Special të BE-së, z. Samuel Zhbogar

E Mërkure, 07.11.2012




Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane u takuan sot me kryesuesin e zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesin Special të BE-së, z. Samuel Zhbogar, me ç‘rast diskutuan për perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Me këtë rast kryetari i komisionit, Lutfi Haziri, theksoi se Studimi i Fizibilitetit shënon hapin më të madh politik dhe fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, duke e vlerësuar si të suksesshëm rekomandimin e KE-së për hapjen e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Anëtarët e Komisionit diskutuan me theks të veçantë për katër kriteret afatshkurtëra për fillimin e negociatave të përcaktuara në Studimin e Fizibilitetit që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, trashëgiminë kulturore dhe tregtinë.

U theksua po ashtu se këto janë të realizueshme në kohë afatshkurtër dhe se Qeveria tashmë është në proces të implementimit të tyre.

Kryesuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesi Special i BE-së, z. Samuel Zhbogar, tha me këtë rast se duhet të shtohet forcimi i rolit të Kuvendit. "Kuvendi duhet të fuqizojë rolin e vet mbikëqyrës ndaj Qeverisë, si dhe në drejtim të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.
BE-ja kërkon masa të realizueshme afatshkurtëra të cilat duhet t'i realizojë Kosova, pastaj të fillohet me negociatat. Këto prioritete afatshkurtëra janë të realizueshme në një periudhë afatshkurtër. Qeveria këto i ka marrë shumë seriozisht dhe është zotuar se do t'i realizojë deri në fund të muajit dhjetor", theksoi Zhbogar.

Gjatë këtij takimi u përmend edhe nevoja për miratimin në Kuvend të Ligjit për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, strategjinë kundër korrupsionit , ndërkaq u diskutua edhe për pavarësinë financiare për Avokatin e Popullit.
Tutje, anëtarët e Komisionit folën mes tjerash dhe kërkuan sqarime nga Zhbogar lidhur me pesë vendet shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Kryetari i Komisionit Haziri, duke folur për rolin e këtij komisioni parlamentar, tha se angazhimi i tyre është në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve më të mëdha, duke përmendur edhe Planin e Veprimit të Kuvendit.
Ai tha se rekomandimi i Raportit të Fizibilitetit kërkon që Kuvendi të rris rolin e tij monitorues karshi ekzekutivit dhe të sigurohet autonomia buxhetore e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai shtoi se vendi tashmë është në një proces tjetër, pas samitit, proces i cili është pozitiv për Kosovën, ndërsa pritet që dhjetori dhe janari të jenë muajt të cilët do ta qartësojnë rrugën evropiane.
"Në këtë rrafsh secili nga ne duhet të punojë më shumë, në sundimin e ligjit, luftimin e krimeve dhe korrupsionit, si dhe për të drejtat e minoriteteve. Këto janë detyra të mëdha që Kosova duhet t'i realizojë", tha me këtë rast Haziri.

Komisioni për Integrime Evropiane priti sot kryesuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesin Special të BE-së, z. Samuel Zhbogar