Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 07.11.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi projekt-buxhetin e shtetit për vitin 2013, si dhe dy projektligje të tjera.
Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013 u prezantua nga ministri i Financave, Bedri Hamza, ndërsa iu nënshtrua një diskutimi të gjerë nga ana e anëtarëve të komisionit. Ata ngritën një varg çështjesh, për të cilat ministri Hamza dha informacionet dhe sqarimet e nevojshme.
Pas shterjes së diskutimeve, komisioni i rekomandoi seancës plenare miratimin në parim të këtij projektligji. U njoftua, ndërkaq, edhe rreth qasjes që do ta ketë komisioni gjatë fazës së shqyrtimit dhe amendamentimit të tij.
Në këtë mbledhje u përkrah në parim dhe u rekomandua për miratim në seancë plenare edhe Projektligji për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.
Me një plotësim, u përkrah gjithashtu, edhe Projektligji për arsimin dhe aftësimin për të rritur në Republikën e Kosovës, me amendamente të komisionit funksional, pasi u konstatua se ai nuk ka kosto shtesë buxhetore.