Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi përgëzon presidentin Barack Obama
E Mërkure, 07.11.2012
Me rastin e rizgjedhjes, së z. Barack Obama, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i dërgoi një telegram urimi me këtë përmbajtje:"
I nderuar Zoti President,
Në emër të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin e madh t'ju shpreh Juve, familjes tuaj, si dhe tërë popullit amerikan urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta me rastin e rizgjedhjes Tuaj President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke ju dëshiruar sukses në përmbushjen e përgjegjësive të mëdha në krye të institucionit më të lartë shtetëror, shpreh bindjen time të thellë se vazhdimi i mandatit tuaj si President, është rezultat i përpjekjeve tuaja për fuqizimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për mirëqenien e qytetarëve të saj, për zhvillimin e demokracisë dhe për mbrojtjen e paqes e sigurisë në mbarë botën.
Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, shpreh bindjen që ato do të thellohen dhe zgjerohen në vazhdimësi. Republika e Kosovës ka nderin e madh të jetë mike e SHBA-së, vendit më demokratik në botë. Me këtë rast, dëshiroj edhe njëherë t'ju siguroj për ndjenjën e lartë të miqësisë së popullit dhe institucioneve tona ndaj vendit tuaj dhe juve personalisht.
Shfrytëzoj këtë rast t'ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë për gjithë ndihmën që Shtetet e Bashkuara dhe institucionet e saj shtetërore kanë dhënë për Kosovën në këto vite vendimtare të historisë së saj.
Ju lutem, i nderuar z. President pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë", theksohet në telegramin e kreut të legjislativit të vendit Krasniqi.