Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion

E Marte, 06.11.2012




Komisioni për Legjislacion mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për provimin e jurisprudencës. Në këtë takim të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Shtetit, Oda e Avokatëve të Kosovës, Avokatit të Popullit, Agjencisë Kundërkorrupsion, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Fillimisht anëtari i komisionit, Armend Zemaj, kryesues i këtij takimi, sqaroi se Projektligji për provimin e jurisprudencës është miratuar në lexim të parë, ndërkaq shtoi se komisioni do të ketë një qasje serioze në draftimin e këtij projektligji, duke marrë parasysh se reforma në sistemin gjyqësor duhet të vazhdojë me efikasitet dhe se kjo shihet si një hallkë e rëndësishme në reformimin e sistemit të drejtësisë, duke filluar nga gjyqësori, prokuroria dhe pjesa e avokaturës.
Ai përmendi tri elemente të cilat duhet të diskutohen edhe nga grupi punues, sponzorizuesi dhe grupet tjera të interesit, në mënyrë që të vlerësohet nëse duhet të bëhen ndryshime shtesë. Porse, sqaroi se të gjitha propozimet dhe komentet që do të paraqitën gjatë këtij diskutimi rreth këtij projektligji do të merren parasysh nga komisioni gjatë draftimit të tij.
Zemaj, mes tjerash përmendi disa pjesë të risisë së këtij Projektligji, si: komisionin, përbërjen dhe emërimin dhe theksoi se për dallim nga e kaluara, këto çështje do të kalojnë në një nivel tjetër të emërimit, duke sqaruar se emërimin do ta bëjë ministri.

Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Bedri Bahtiri, tha se në Projektligjin për Provimin e Jurisprudencës janë bërë ndryshime të cilat kanë qenë të identifikuara si pengesë gjatë provimit të jurisprudencës, si dhe në vendet ku janë hasur vështirësi gjatë këtyre procedurave.
Duke sqaruar se projektligji përmban 21 nene, ai përmendi disa ndryshime, si: përcaktimi i saktë i mënyrës së emërimit të komisionit, përgatitjes së tyre profesionale si ekspertë të drejtësisë me më së paku 12 vjet përvojë pune në profesion, si dhe zvogëlimin e numrit të anëtarëve, në gjithsej pesë.
"Në kemi dashur që përmes këtij projektligji të bëjmë përcaktimin e saktë të kritereve se kush mund të jetë pyetës në provimin e jurisprudencës", theksoi ai, duke folur më tej edhe për ndryshimet në përmbledhjen e lëndëve, etj. Ndërkaq, më pas ai u përgjigj në pyetjet të cilat u parashtruan nga pjesëmarrësit gjatë këtij takimi.

Zëvendës Avokati i Popullit, Basri Berisha, theksoi mes tjerash se ky ligj është më i plotë, më përmbajtësor dhe se ka përmirësime të dukshme, ndërkaq, duke kërkuar sqarime të ndryshme nga përfaqësues të Ministrisë Drejtësisë ai tha se ka nevojë për disa plotësime.
Edhe Amir Salihu nga Lëvizja Fol tha se është shumë i rëndësishëm miratimi i këtij ligji meqë në këtë aspekt është bërë padrejtësi për shkak të bllokimit të kësaj çështje. Më tej, sa i përket riprovimit, ai tha se nuk është e arsyeshme që të kushtëzohen afatet për shkak të mosdhënies së provimit.

Rexhep Kabashi nga Prokuroria e Shtetit, duke përgëzuar punën e komisionit parlamentar dhe të ministrisë për draftimin e ligjit, tha se ky ligj është praktik dhe përmban të gjitha kriteret për aprovim. Prokurori Kabashi duke e theksuar faktin se Prokuroria e Shtetit nuk kanë ndonjë vërejtje, foli për komisionin i cili do të përzgjidhet nga ministri i Drejtësisë, duke e parë këtë si një zgjidhje të mirë, si dhe faktin për heqjen e dilemave se kush mund t'i nënshtrohet provimit të jurisprudencës. Gjatë këtij takimi folën edhe anëtari i komisionit Haki Demolli, përfaqësues të Odës së Avokatëve të Kosovës, Agjencisë Kundërkorrupsion, Komesariatit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, etj, të cilët paraqitën disa nga propozimet e tyre dhe vërejtje.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion