Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Marte, 06.11.2012




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi dy projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale dhe një propozim-vendim të qeverisë.

Anëtarë të komisionit diskutuan gjerësisht lidhur me propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga tatimi i vlerës së shtuar, deri më 31 dhjetor 2014, ndërkaq, përfaqësues të Ministrisë së Financave, dhanë sqarimet e nevojshme rreth çështjeve të ngritura.

Komisioni përkrahu këtë propozim-vendim dhe e rekomandoi për miratim në seancë plenare.

Sqarime shtesë lidhur me koston financiare të Projektligjit për Shëndetësi, dha ministri Ferid Agani. Ai theksoi se projektligji është i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa kostoja financiare e tij është e parashikuar në projekt-buxhetin e vitit 2013.

Projektligjin për Shëndetësi, ministri Agani e konsideroi të një rëndësie të veçantë, i cili, siç tha ai, shënon fazën e parë të reformës në sektorin shëndetësor.

Duke theksuar nevojën e ndryshimeve pozitive në këtë sektor, anëtarët e komisionit e përkrahën atë dhe e proceduan për miratim në Kuvend.


Në këtë mbledhje, komisioni përkrahu edhe Projektligjin për regjistrimin e bujqësisë, me amendamente të komisionit funksional, duke konstatuar se ai nuk përmban kosto shtesë buxhetore.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa