Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Marte, 06.11.2012




"Raporti i MPB-së dhe raporti i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, janë raporte përshkruese të ngjarjeve dhe këto raporte nuk i janë referuar kërkesës së komisionit", theksoi në mbledhjen e sotme kryetari dhe kryesuesi i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi, gjatë shqyrtimit të Raporteve informuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës lidhur me veprimet e Policisë së Kosovës, me datë 17 dhe 18 tetor 2012.
Duke falënderuar për angazhimet e Inspektoratit të Policisë së Kosovës rreth zbardhjes së rastit në Dhomën e Dëshmive në Pejë, Isufi, kërkoi nga Inspektorati që të ndriçojë të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me thyerje të ligjit dhe me keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërsa, kërkoi nga inspektorati policor ndërmarrje të veprimeve ndaj atyre pjesëtarëve të policisë të cilët kanë tejkaluar kompetencat.

Duke folur për raportet në fjalë, Isufi tha se nga MPB-ja dhe Inspektorati Policor, Komisioni parlamentar për Siguri ka kërkuar sqarime për ngjarjet lidhur me protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje më 17 dhe 18 tetor, për urdhrin e ministrit Rexhepi dhënë Policisë, meqë neni 5 i Ligjit mbi Policinë e Kosovës e qartëson saktë obligimin dhe detyrën e ministrit dhe kompetencat e drejtorit të Policisë së Kosovës dhe efektivave tjerë komandues.

Ndërkaq, anëtari i komisionit, Anton Çuni, tha se prezenca e theksuar e panevojshme e policisë në Parlamentin e Kosovës, deklaratat kërcënuese të ministrit Rexhepi, si dhe ndërhyrja e ministrit në zinxhirin komandues në polici, krijojnë një imazh të një shoqërie e cila udhëhiqet nga një aparat shtetëror i dhunshëm.
"Demonstrimi i forcës ndaj protestuesve dhe qytetarëve është pjesë e luftës speciale për të ushtruar presion, frikë dhe dhunë, ndaj atyre që shprehen ndryshe nga qëndrimet qeveritare. Policia është keqpërdorur duke iu nënshtruar tekeve dhe inateve të udhëheqësve politik", theksoi Çuni duke kërkuar që Policia e Kosovës të përdoret vetëm brenda ligjeve në fuqi, duke iu përmbajtur misionit dhe detyrave esenciale.
"Kërkoj nga ministri Rexhepi që t'i thërras ndërgjegjes si normë morale dhe t'i drejtohet qytetarëve me kërkim falje dhe t'i mbajë duart larg nga komandimi mbi Policinë e Kosovës", tha Çuni.
Anëtari i komisionit, Fatmir Xhelili tha mes tjerash se në rast se janë tejkaluar kompetencat me përdorim të forcës, ata individë duhet të hetohen nga Inspektorati Policor, ndërkaq shtoi se çdo veprim i deputetëve duhet të jetë konform parametrave të deputetëve. Ai ka shtuar se raporti i MPB-së dhe IPK-së tregon hapat të cilat i ka ndërmarrë policia. "Policia e Kosovës nuk merr veprime nga urdhrat e momentit, as nga ministri, as nga Kryeministri, e as nga Kryetari i Kuvendit", tha me këtë rast Xhelili duke shtuar se Policia e Kosovës e ka kryer punën e vet bazuar në ligj dhe se në këtë situatë ka vepruar drejtë.
Gjatë këtij takimi anëtarët e Komisionit theksuan se nuk mund të mohohet fakti se ka pasur deputetë të lënduar dhe ka pasur përdorim të dhunës ndaj deputetëve dhe se ministri ka tejkaluar kompetencat ligjore, ndërkaq, u kërkua që lidhur me këtë ngjarje të raportojë ministri Rexhepi.
Gjatë këtij takimi folën edhe anëtarët e komisionit, Vjollca Krasniqi dhe Goran Marinkoviq. Ndërkaq, më tej u kërkua nga ministri Rexhepi të raportojë edhe për ngjarjet tjera që lidhen me sigurinë e vendit, meqë në shtetin e Kosovës ka hyrje të personaliteteve të ndryshme nga shteti i Serbisë, duke përmendur rastin e Aleksandër Vulin.
Më tej u tha se kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën Republikës së Kosovës, të cilat raste nxisin tensione etnike dhe krijojnë destabilizim të vendit.

Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit u dakorduan që Inspektorati Policor i Kosovës të sjellë raport rreth masave të ndërmarra ndaj atyre personave që kanë tejkaluar kompetencat në protestat e 17 dhe 18 tetori, ndërkaq, në mbledhjen e radhës anëtarët e komisionit do të vendosin për datën e takimit me ministrin Rexhepi, për të sqaruar ngjarjet e 17 dhe 18 tetorit.

Në këtë takim, anëtarët e komisionit u njoftuan nga ana e grupit punues edhe për punëtorinë e mbajtur lidhur me hartimin e Projektligjit për Komisionerin Parlamentar për Siguri.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së