Lajmet e fundit
Dëgjim publik në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor
E Marte, 06.11.2012
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, i kryesuar nga Nait Hasni, kryetar i Komisionit, organizoi sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për ujërat e Kosovës, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme qendrore e lokale të Kosovës, të cilat kanë në fushëveprimin e tyre lëmin e ujërave. Nait Hasani njoftoi të pranishmit se ky Projektligj tashmë ka kaluar në leximin e parë, ndërsa ky dëgjim është rast për të dëgjuar edhe fjalën e ekspertëve me qëllim të bërjes së një Projektligji sa më funksional.
Gjatë dëgjimit u zhvillua një debat i gjerë nga të pranishmit, duke u përqendruar në çështje të përcaktimit të neneve që kishin të bënin, sidomos me administrimin,menaxhimin, trajtimin,shfrytëzimin e ujit dhe të zhavorit, monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së ujit, mirëmbajtjen e infrastrukturës përkatëse të ujërave dhe ambientit rreth tyre. Në kuadër të sugjerimeve e plotësimeve u fol edhe për çështjen e kompetencave të institucioneve e agjencive që merren me çështjen e ujit. Në këtë vështrim u tha se në Këshillin ndërministror duhet të jetë edhe një përfaqësues i komunave, ndërsa u fol edhe për nevojën e përcaktimit të kompetencave të komunave sa i përket ujërave.
Ndër vërejtjet e diskutuesve ishte se teksti i Projektligjit shoqërohet edhe nga disa mos harmoni, në kuptimin se disa nene bien në kundërshti ndërmjet vete,ka pastaj disa mangësi terminologjike dhe gjuhësore. Po kështu, shihej nevoja që disa nocione të tekstit të përcaktohen më mirë. Mirëpo, ishte vlerësim i përgjithshëm se Projektligji i ri është shumë më i avancuar se sa Ligji ekzistues mbi ujërat.