Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

E Hënë, 05.11.2012




Në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi (një pjesë u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti), fillimisht deputetët u njoftuan lidhur me vendimin e Grupit Parlamentar të KKR-së, për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe të Grupit Parlamentar të SLS-së, për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor. Ndërkaq, për shkak të mos prezencës së zv.kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nuk u shqyrtua Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Më tej, deputetët përkrahën në parim Projektligjin për kontrollin e duhanit, i cili është shqyrtuar në seancë plenare të mbajtur më 1 nëntor.

Po ashtu, deputetët përkrahën në parim edhe Projektligjin për sistemin e pagesave, pas prezantimit të ministrit të Financave, Bedri Hamza. Me këtë rast, ministri Hamza theksoi se miratimi i këtij projektligji nuk do të ketë kosto për Buxhetin e Republikës së Kosovës, duke shtuar më tej se miratimi i këtij Projektligji për sistemin e pagesave, mund të krijojë të hyra shtesë për Buxhetin e Kosovës.

Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për zonat ekonomike, i cili u prezantua nga zv.kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila. Me këtë rast ministrja Kusari tha se ky ligj ka për qëllim që përmes zhvillimit të zonave ekonomike të mundësohen investime të reja, aktivitete industriale dhe prodhime për eksport, të lehtësohen edhe hyrjet e mallrave dhe kapitaleve, të aplikohet teknologjia e përparuar, të krijohen vende të reja të punës, si dhe të përfitohet nga mundësia e investimeve, financimeve e shkëmbimeve tregtare, tha me këtë rast ministrja Kusari-Lila.

Deputetët më pas miratuan edhe Projektligjin për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme, pas arsyetimit të raportit me rekomandime të komisionit funksional, nga ana e kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti.

Në vazhdim të mbledhjes, deputetët shqyrtuan Raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës. Raporti u prezantua nga anëtari i këtij komisioni, Liburn Aliu.
Ai theksoi se gjatë periudhës shkurt - tetor 2012, grupi punues ka realizuar 26 takime dhe vizita në terren në tri nivele institucionesh: institucionet qendrore relevante (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Inspektorati i Punës), Gjykatat Komunale (Pejë dhe Suharekë), institucionet lokale (Komuna e Pejës dhe Komuna e Suharekës), Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe gjashtë kompani private në Kosovë.
Në bazë të gjeturave nga vizitat në terren, grupi punues, ka vlerësuar nivelin e zbatimit të ligjit, ka identifikuar problemet dhe në formë të rekomandimeve ka propozuar masat konkrete që duhet të ndërmerren për të ndryshuar gjendjen.
U theksua se njëra ndër pengesat kryesore në procesin e mbikëqyrjes dhe identifikimit të mangësive në Ligjin e punës dhe zbatimin e tij, është faza fillestare në të cilën ndodhet implementimi i këtij ligji dhe se komisioni ka hasur në probleme të cilat janë rrjedhojë e mangësive në ligj dhe në probleme të zbatimit të tij dhe se Ministria e Punës pas miratimit të këtij ligji nuk ka mundur të siguroj buxhet të mjaftueshëm për zbatimin e tij.
Gjatë prezantimit të këtij raporti nga deputeti Liburn Aliu, u theksua se numri më i madh i shkeljeve është evidentuar në sektorin privat, në ndërmarrjet e vogla dhe në disa të mëdha, përderisa në disa ndërmarrje publike dhe në disa ndërmarrjet të mëdha private shkeljet janë më të pakta.
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka rekomanduar se Qeveria e Kosovës duhet të plotësojë dhe ndryshojë Ligjin e Punës me qëllim që të përcaktohet afati minimal për kontratat, qartësimi i dispozitës ligjore për punën gjatë festave, përcaktimi me ligj i lidhjes së kontratave për punën praktike dhe vullnetare, përcaktimi me ligj i klasifikimit të rrogës minimale për profesione dhe lloje të ndryshme të punës. Ndërsa, në planifikimet buxhetore të Qeverisë u rekomandua që të parashihet rritja e buxhetit në favor të zbatimit të ligjit të punës, të thjeshtohen procedurat për aplikim për tremujorin e tretë të pushimit të lehonisë, të rriten kapacitet e mbikëqyrjes përmes rritjes së numrit të inspektorëve, përmirësimit të kushteve për punë, si dhe shtrirjes proporcionale të inspektorëve nëpër çdo komunë. Sa i përket gjykatave u theksua se duhet të trajtojnë me prioritet lëndët nga Ligji i Punës si dhe të rritet efikasiteti i punës së Këshillit Ekonomiko-Social.
Pas diskutimit të deputetëve, si dhe të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, me shumicë votash u miratua Raporti i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës.

Më tej, deputetët shqyrtuan edhe Rekomandimin e Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e tre anëtarëve në Bordin për Ankesa të Mediave. Me votim të fshehtë, deputetët zgjodhën: Daut Krasniqi, kryetar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe anëtarët: Albion Kelmendi e Sylejman Klinaku.

Krejtësisht në fund, deputetët formuan edhe Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio-Televizionit të Kosovës. Me këtë rast, u emëruan këta anëtarë: Idriz Vehapi dhe Xhevahire Izmaku (PDK), Lirije Kajtazi dhe Sadri Ferati, (LDK), Alma Lama (Vetëvendosje), Teuta Haxhiu (AAK), Emilija Rexhepi (KKR), Milivoje Stojanovic, (SLS) dhe Albert Kinolli (6+).

 

 

 

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit