Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 05.11.2012
Studimi i fizibilitetit për Marrëveshjen e stabilizim asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ishte temë qendrore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga Lutfi Haziri, kryetar i Komisionit. Raportin për këtë temë para Komisionit e paraqiti Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane. Në fillim ajo theksoi se viti 2012 ka qenë vit i konkretizimit të agjendës evropiane të Kosovës, kur vendi ynë ka filluar procesin zyrtar afatgjatë të anëtarësimit në BE. Publikimi i studimit të Fizibilitetit dhe propozimi për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit shënon një moment të ri në diagramin e konsolidimit dhe faktorizimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, por edhe fillimin zyrtar të një rrugëtimi të gjatë për anëtarësim në BE. Kosova tani do të jetë partner i barabartë me Bashkimin Evropian, sikur të gjitha vendet e rajonit. Ky akt shënon fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. Studimi i Fizibilitetit ka konfirmuar se Bashkimi Evropian nuk ka pengesa ligjore për të lidhur marrëdhënie kontraktuale me Kosovën, theksoi Vlora Çitaku.
Në vijim ministrja i bëri një vështrim të gjerë arritjeve të shënuara në katër kriteret për fillimin e negociatave me BE-në, siç janë: sundimi i ligjit mbrojtja e minoriteteve, administrate publike dhe tregtia. Për plotësimin e katër kritereve të cekura, theksohet në Raportin e paraqitur në Komision, Qeveria e Kosovës së bashku me të gjitha institucionet shtetërore është duke punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Janë kritere këto të arritshme dhe shumë të matshme, të cilat mund të përmbushen brenda fare pak muajsh, ndërsa me plotësimin dhe realizimin e kritereve afatshkurtra Kosova shumë shpejt do të jetë e gatshme të fillojë negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Në kuadër të debatit të gjerë që u zhvillua rreth këtij raporti, diskutuesit theksuan disa nga sfidat me të cilat duhet të përballet më energjikisht Kosova drejt integrimit evropian. U tha se çështja e luftimit konsekuent e korrupsionit, evitimi i ndërhyrjeve politike në punën e gjyqësorit, nevoja për aprovimin të Ligjit për konfiskimin e pasurisë duhet të jenë ndër detyrat e para të institucioneve të Kosovës. Varësisht nga rezultatet që do të arrihen në përballimin e këtyre sfidave do të varet edhe shkurtimi i rrugës drejt integrimit të Kosovës në BE.
Duke folur për çështjet e ngritura nga ana e deputetëve Vlora Çitaku tha se çështja e korrupsionit ndikon dëmshëm në rrugën e integrimit, ndaj është e nevojshme që të ndërtohet infrastruktura përkatëse ligjore që do të mundësojë luftimin sa më të suksesshëm të kësaj dukurie negative. Në këtë aspekt duhet të merren parasysh edhe krijimi i kushteve më të mira sa i përket lokalit dhe të ardhurave personale të gjykatëseve. Mirëpo, ajo tha se në Këshillin e Lartë Gjyqësor nuk është raportuar asnjë rast i ndërhyrjes politike te ndonjë gjykatës. Në mbledhje u mirëprit fakti që janë marrë masa për krijimin e kushteve për funksionimin normal, edhe kur është fjala sigurimin e ambientit të denjë të punës për Avokatin e Popullit. Me këtë rast u shpreh edhe angazhimi i deputetëve që në agjendën evropiane duhet të dihet edhe roli i Kuvendit. Komisioni për Integrime ka rol monitorues, në këtë vështrim ai kërkon që sundimi i ligjit të jetë i prekshëm e jo deklarativ.
Në përfundim të debatit ministrja Vlora Çitaku tha se agjenda evropiane është agjenda më konsensuale e spektrit politik të Kosovës.