Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 01.11.2012
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, (pjesë të mbledhjes i kryesuan edhe nënkryetarët Sabri Hamiti e Petar Miletiq), filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve. Në pyetjet e shtruara nga deputetët u përgjigjën ministrat e sektorëve përkatës të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht: Besim Beqaj, Ferid Agani, Ramë Buja, Bajram, Rexhepi dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
Kuvendi pastaj miratoi Projektligjin për ratifikimin e amendamentit të neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar për reformën e Bordit Ekzekutiv dhe Projektligjin për rritjen e kuotës së Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Temë e rendit të ditës së seancës në vijim ishte informimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi për takimin e zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë.
Duke iu drejtuar deputetëve kryeministri i Kosovës në fillim shprehu falënderimin ndaj Kuvendit për aprovimin e kërkesës për të informuar këtë institucion dhe mbarë qytetarët e Kosovës për fillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
"Qëllimi i parë është që të respektohet në tërësi obligimi im zyrtar për ta implementuar pikën pesë të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë të aprovuar nga një shumicë e madhe demokratike e Kuvendit të Kosovës para dy javësh.
Siç e dini, kjo Rezolutë na obligon neve si Qeveri dhe mua si kryeministër apo komisionet përkatëse parlamentare që të informojmë-raportojmë rregullisht për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Kuvendin e Kosovës. Ashtu siç e keni përcjellë edhe nga komunikimet e rregullta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve më eminentë të diplomacisë botërore, ne tashmë edhe zyrtarisht kemi filluar procesin e dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky proces ka filluar në Bruksel me mbështetje të fuqishme edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fillimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë i kanë paraprirë konsultat gjithëkosovare dhe mbështetjes së gjerë politike- për çka edhe i jam mirënjohës skenës politike kosovare për mbështetje.
Mbështetje të fuqishme të këtyre zhvillimeve i kanë dhënë edhe Institucionet e Shqipërisë, lidershipi i shqiptarëve në Maqedoni, lidershipi i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që i falënderoj edhe sot për mbështetje para dhe pas takimit", theksoi kryeminstri Thaçi.
Dëshmia dhe konfirmimi më i mirë i kësaj mbështetje botërore është edhe vizita që dje i kanë bërë Republikës së Kosovës dhe rajonit sekretarja e shtetit zonja Klinton dhe Baronesha Eshton. Një proces i tillë i filluar pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës ka një bazë të gjerë ligjore që buron nga Kushtetuta e Kosovës. Ky proces ka fituar një mbështetje të gjerë koncensuale politike dhe shoqërore-gjithë etnike. Pastaj është plotësisht në përputhje me procesin e integrimeve evropiane dhe përmbushjes së kritereve të Aki Komunitare të Bashkimit Evropian, si dhe përmbushjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2010, e cila verifikon pa asnjë fije dyshimi mendimin e GJND-së për legalitetin dhe legjitimitetin e Deklaratës së Pavarësisë dhe njëkohësisht nis procesin e dialogut midis dy shteteve si pjesë të procesit të integrimeve evropiane, tha kryeministri Thaçi.
"Pas aprovimit të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, unë si kryeministër i mandatuar nga ky Kuvend legjitim dhe demokratik dhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës kam marrë një ftesë zyrtare nga Baronesha Eshton për të shkuar për takim zyrtar bilateral me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe njëherësh përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Eshton. Ky takim ka ndodhur të premten me datë 19 tetor. Baronesha Eshton, po ashtu i ka dërguar një ftesë zyrtare edhe kryeministrit të Serbisë z. Daçiq për takim bilateral po të njëjtën ditë.
Përveç ftesës për takime bilaterale, Baronesha Eshton ka konsideruar sa tashmë janë krijuar kushtet adekuate për të ndërmjetësuar-lehtësuar një takim të përbashkët, të nivelit të lartë ndër-shtetëror ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Gjatë takimeve të ndara që kemi pasur në Bruksel me Baroneshën Eshton, ajo na ka prezantuar çështjet që ajo do të dëshironte të diskutonte në takimin e përbashkët.
Ato çështje kanë qenë plotësisht të pranueshme prandaj, si rrjedhojë Baronesha Eshton na ka ftuar në takimin e përbashkët të ndërmjetësuar nga ajo dhe me mbështetje të fuqishme të SHBA-ve. Ky takim është zhvilluar në zyrën e Baroneshës Eshton", theksoi z. Thaçi.
Ky takim i parë i këtij niveli të lartë, shënon fillimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura më synimin e mbylljes së kapitullit të errët të së kaluarës, dhe hapjen e kapitullit të paqes, bashkëpunimit fqinjësisë së mirë dhe integrimeve euro-atlantike.
"Më lejoni të përsëris atë që e kam thënë tashmë disa herë. Unë personalisht nuk vuaj nga ndonjë nostalgji për të takuar udhëheqësit e një shteti që i kanë shkaktuar vuajtje shekullore deri në masën e gjenocidit, për qytetarët e vendit tim. E kam thënë dhe po e them përsëri se kujtesa jonë për viktimat e luftës së shkaktuar nga Serbia, kujtesa jonë për bijtë dhe bijat më të mira që ranë në altarin e lirisë, kujtesa për mijëra njerëz të zhdukur do të mbetet gjithmonë e freskët.
Kurrë nuk do të harrojmë tmerrin dhe dhimbjen e shkaktuar nga Serbia.
Gjithashtu, shteti ynë sovran, tashmë i ka të gjithë mekanizmat e sigurisë që garantojnë lirinë tonë, ekzistencën tonë, zhvillimin tonë dhe integrimin euroatlantik.
Por, ne të gjithë jemi pajtuar se e kaluara e jonë e hidhur, nuk guxon ta mbaj peng të ardhmen tonë. Përkundrazi, vuajtjet dhe sakrificat tona duhet të jenë motivi ynë për të lëvizur sa më shpejt përpara drejt integrimit në NATO, Bashkim Evropian dhe organizatën e Kombeve të Bashkuara. E që kjo të ndodhë, patjetër na duhet të kemi fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, theksoi kryeministri Thaçi.
Në vijim kryeministri Thaçi tha :"Nuk do të pranoja të udhëheq një proces të tillë dhe nuk do të hyja në dialog po të mos përmbusheshin disa parakushte.
E para, jam i sigurt në përkrahjen e partive politike, shoqërisë civile, botës akademike dhe qytetarëve të Kosovës për integrimet evropiane dhe për nevojën tonë historike t'i afrohemi familjes evropiane si objektiv dhe vizion mbarëkombëtar i të gjitha partive dhe vullnetit të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Pastaj, Rezoluta e aprovuar ka krijuar një rrethanë të re, një agjendë të re në këtë Kuvend.
Kjo agjendë pra ishte unifikuese për të pasur progres në përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës që po imponohet si imperativ i kohës, e ai është "fqinjësia e mirë" në mes të gjithë atyre që pretendojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Pastaj kemi kërkuar garanci ndërkombëtare që ky proces të jetë i strukturuar dhe krejtësisht i barabartë në nivelin ndër-shtetëror për Kosovën dhe Serbinë, në reciprocitet të plotë politik dhe me hapjen e rrugëve integruese për Kosovën.
Involvimi i thellë dhe i drejtpërdrejt i kreut të diplomacisë amerikane dhe evropiane na garanton se procesi i dialogut është me përkrahje strategjike për Kosovën.
Për funksionalizimin e plotë, konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës - Kosovës së Re - Kosovës së Evropiane.
Po ashtu kemi kërkuar të implementohen marrëveshjet e arritura deri më tani. Në këtë pikë ende kemi ngecje dhe paqartësi të cilat presim të zgjidhen brenda javëve në vijim.
Marrëveshjet e arritura që përcaktojnë vijën kufitare dhe rregullojnë ligjërisht kalimet kufitare sipas modelit të integruar evropian, si dhe e drejta e pamohueshme e Republikës së Kosovës të jetë pjesë e barabartë e organizmave rajonalë, do të testohen në ditët, javët dhe muajt në vijim.
Serbia është obliguar nga Bashkimi Evropian që të përmbush në plotëni këto marrëveshje.
Takimi im i parë si kryeministër i shtetit të Kosovës me kryeministrin e Serbisë rezultoi nga përmbushja e këtyre kritereve tona minimale dhe në kuadër të Rezolutës së Kuvendit. Takimi u fokusua në kornizën e bisedimeve dhe natyrën e temave. Është fakt i pamohueshëm nga të dy palët se dialogu është për zgjidhjen e çështjeve që nuk janë statusore e as që rrezikojnë në asnjë rrethanë integritetin e Republikës së Kosovës. Përkundrazi, demokratizojnë dhe hapin kufijtë sipas modelit evropian për gjithë rajonin.
Çështjet që janë ngritur nga Baronesha Eshton dhe diskutuar nga dy kryeministrat, i shtetit të Kosovës dhe Serbisë në takimin e parë janë:
Zbatimi në praktikë i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë; Zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës;
Zhbërja dhe largimi nga Kosova i strukturave paralele të financuar nga Serbia; Mos pengimi i Kosovës për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare; Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë; Përmbyllja e procesit të decentralizimit në Kosovë që nënkupton domosdoshmërinë e formimit të komunës së re, atë të Mitrovicës së veriut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira në veri të vendit; Arritja e marrëveshjeve në fushën e telekomunikacionit dhe energjisë, sipas standardeve evropiane; Si dhe mundësinë e shpejt të hapjes së Zyrave Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe anasjelltas të Serbisë në Prishtinë.
Konkluza e takimit të parë ishte pajtimi për të adresuar temat e diskutuara dhe vazhdimi i takimeve tjera. Besoj se takimi i ardhshëm do të ndodhë gjatë këtij muaji dhe jam i sigurt se do të jetë më përmbajtjesor.
Me lejoni edhe një herë t'iu bëj të qartë se nuk po marr pjesë personalisht se nuk më ka mbetur zhig me fol me Daçiqin, por se jam thellësisht i bindur se dialogu do të dërgon deri te përfundimi logjik që hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO. Unë e di se këto takime nuk janë fare populliste, janë të rënda për mua personalisht, por të nderuar qytetarë të Kosovës-unë gjithë jetën time kam marrë vendime të rënda për mua, por të dobishme për vendin tim-atdheun tonë Kosovën.
Së pari do të vazhdojmë të pajtohemi për realitetin, e ma vonë do ta quajmë realitetin edhe me emrin e vërtetë-njohjen reciproke. Kjo ka qenë politika amerikane dhe evropiane e cila i lejon Kosovës të ndërmarrë hapa të plotë në rrumbullaksim të integritetit, sovraniteti dhe anëtarësisë në NATO, BE dhe OKB.
Këto mesazhe, i keni të qarta të gjithë ne sidomos pas vizitës së Baroneshës Eshton, Sekretares Klinton dhe ministrit britanik William Hague.
Këto kanë qenë mesazhe të fuqishme të përkrahjes për unitetin politik që kemi arritur të gjithë ne së bashku me rastin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe fitimin të Studimit të Fizibilitetit, si parakusht për liberalizim të vizave. Me këtë rast, dua të falënderoj Sekretaren Klinton për vite të tëra të miqësisë dhe mbështetjes.
Qytetarët e Kosovës kanë vetëm dashuri dhe respekt për Sekretaren Klinton dhe lidershipin demokrat dhe republikan në Amerikë që me dekada na kanë qëndruar si mbrojtës të shenjtë të drejtësisë në Kosovë dhe gjithë rajonin.
Jemi krenarë me fjalët e saj emblematike ‘se Kosova është shembulli i progresit më të shpejtë pas lufte në historinë e kombeve', duke kaluar një rrugëtim të hatashëm për pesë vite pavarësi. Falënderoj edhe Baroneshën Eshton e cila në Kosovë ishte si në shtëpi të vetë sepse shtëpia e jonë e përbashkët është Evropa. Vizita e saj e përkrahur nga Sekretarja Klinton paraqet fuqizim të agjendës evropiane dhe shtytje edhe më e madhe për të gjitha partitë dhe të gjithë qytetarët. Baronesha Eshton si dhe Komisioneri Fule, kanë luajtur rol të madh dhe të paharrueshëm në arritjen e konsensusit brenda Bashkimit Evropian që edhe Kosova është përfituese e barabartë e premtimit të Samitit të Selanikut para dhjetë vitesh se i tërë Ballkani do të integrohet në Bashkim Evropian. Por, më lejoni që të falënderoj edhe ministrin Hague.
Marrëdhëniet me Britaninë veç sa po forcohen në fusha të politikës, diplomacisë, ekonomisë dhe vizita e tij e parë në Kosovë paraqet një moment të ri të forcimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Falënderimet më të mëdha për përfundimin e një faze dhe fillimin e një etape të re ju takojnë juve, përfaqësuesve të partive politike të cilët me ndërgjegje kombëtare dhe politike keni kontribuar unitetit për qëllime të përbashkëta.
Jemi të hapur për të gjithë përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile, botës akademike, të marrin pjesë në proceset e ardhshme.
Arsyeja e dytë, që më obligon t'iu informoj-raportoj sot është konfirmimi i Qeverisë së Kosovës, të cimentuar tani edhe nga ana e Qeverive të shteteve të Quintit, se Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të jetë korniza e vetme operuese gjatë dialogut. Platforma kosovare është e qartë dhe e fokusuar dhe e aprovuar edhe nga partnerët ndërkombëtar.
T'i përsëris pikat të cilat janë edhe pjesë e raporteve respektive të progresit për dy shtetet: Qëllimi i diskutimit për implementimi e plotë i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve ashtu që të mundësohet operim evropian i shërbimeve kufitare.
Pikat kufitare do të kenë doganë kosovare, polici kosovare, prezencë të EULEX, sipas ftesës së Presidentes Jahjaga dhe mandatit të ri, duke marrë parasysh nevojën e identifikuar për shtrirje të autoritetit të plotë të EULEX në tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe pjesën veriore të vendit. Ndërprerja e shërbimeve ilegale të telefonisë dhe distribucionit që paraqesin ndërhyrje në treg të lirë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Tërheqja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të sigurisë. Këta janë mbetje të regjimeve të mëhershme, janë mbetje të pushtimit të periudhës së mëhershme. Zgjerimi dhe ushtrimi i plotë i autoritetit të EEULEX-it dhe ligjeve të Kosovës është hapi i ardhshëm i natyrshëm dhe po punojmë me bashkësinë ndërkombëtare që qytetarët e veriut të fitojnë qasje të njëjtë në sistemin e gjyqësisë. Legalizimi i sistemit bankar dhe krijimi i transparencës së plotë të përkrahjes eventuale financiare të Serbisë për arsimin dhe shëndetësinë në veri, sipas Planit të Ahtisaarit.
Njëkohësisht i drejtohem përfaqësuesve të komunitetit serb, përfaqësuesve politik por edhe qytetarëve serb, të gjithë përfaqësuesve legjitim të popullit serb në Kosovë dhe Kishës Ortodokse Serbe: Kosova nuk ka ndër mend që të menaxhojë apo drejtojë jetën e serbëve apo cilido qytetar në Kosovë. Ne e kemi ndërmend të respektojmë vullnetin e tyre demokratik integrues në jetën institucionale .
Jeni të lirë të flisni, të jetoni, të punoni dhe të shpresoni të guxoni, si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës demokratike dhe shumetnike.
Ne u kemi premtuar gjatë procesit të Vjenës se Kosova do të jetë shtet me shoqëri të hapur, sekulare, që respekton diversitetin, ku patriotizmi i njërit nuk është rrezik për tjetrin, me rrugë të sigurt në NATO dhe BE që do të thotë edhe respektimin me të lartë të drejtave dhe lirive të njeriut.
Komunitetet tjera po ashtu i kanë të garantuara të drejtat e plota kushtetuese. Më lejoni t'iu rikujtoj se sivjet i kemi dy përvjetorë të popujve tanë.
Është bërë një shekull prej fillimit të luftërave Ballkanike që copëtuan Ballkanin pas 500 viteve të Perandorisë Osmane dhe një shekull i shtetit modern shqiptar. Ka kaluar shumë kohë dhe është derdhur shumë gjak prej asaj kohe.
Shteti i Kosovës është krijuar, dhe atë jo në baza të luftërave etnike ballkanike, por në baza të parimeve evropiane dhe drejtësisë ndërkombëtare. Megjithatë, e kuptojmë se e drejta nuk ka fituar plotësisht. Do t'i mbesim besnik mbrojtjes së idealeve dhe vizionit të qytetarëve të Kosovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Do të fitojmë edhe reparacionet për dëmet e bëra nga Serbia. Krimi të jeni të bindur se herë do kurdo do të dënohet. Të zhdukurit do të kthehen të prehen të qetë në atdheun e tyre. Por, pasi kemi fituar luftën dhe shpallur pavarësinë tani ka ardhur koha të përfundojmë rrugën tonë të gjatë një shekull e ti kthehemi Evropës.
Jam i nderuar që më keni autorizuar të përdorim dialogun për benefite të qytetarëve tanë. Si rrjedhojë, të përdorim procesin e integrimeve për reformat demokratike të thella shoqërore, ekonomike, politike.
Qeveria e Kosovës në periudhën e ardhshme do të raportojë sipas hapjes dhe përfundimit të fazave të ndryshme të dialogut. Mirëpresim angazhimin e gjithë spektrit politik, Komisioneve parlamentare por edhe ekspertëve. Si rezultat përfundimtar i dialogut do të jetë medeomos normalizimi i marrëdhënieve dhe logjikisht në një fazë të mëvonshme edhe njohja e Kosovës nga ana e Serbisë si shtet. Por, këtë vit kemi shënuar progres dhe mund të themi lirisht se ky vit ishte me të vërtetë vit evropian për Republikën e Kosovës", theksoi kryeministri Thaçi.
Duke folur në emër të GP të PDK-ës, deputeti Arsim Bajrami përshëndeti fjalën e kryeministrit Thaçi lidhur me bisedimet me Serbinë, që si tha ai, është një fillim i një procesi konsensual. Kjo është kulturë kushtetuese,sepse kështu po implementohet Rezoluta që e ka miratuar ky kuvend para disa ditësh. Ai inkurajoi kryeministrin për vazhdim të këtij procesi, platformë e te cilit është Kushtetuta e Kosovës.
Ismet Beqiri në emër të GP të LDK-së tha:"Gjithnjë jemi angazhuar për zgjidhje politike, por gjithnjë kemi kërkuar që në këtë proces të ketë transparencë". Ai u angazhua që në bisedime nuk duhet të pranohet asgjë që mund të rrezikojë sovranitetin e Kosovës, përkatësisht çdo gjë duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Visar Ymeri në emër të GP Vetëvendosje shprehu mospajtim me fillimin e bisedimeve me Serbinë. Ai këtë proces e karakterizoi si shumë të rrezikshëm për Kosovën. Nëse në bisedime flitet për veriun, tha ai na vazhdim, atëherë Serbia po faktorizohet, që tregon se po bëhen koncesione.
Në emër të AAK-së foli Ardian Gjini, i cili tha se ky subjekt ka mbështetur këtë proces, sepse në të janë të involvuara Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja. Ai në vijim tha se bisedimet duhet të vazhdohen gjithnjë të ndërmjetësuara, duke e bërë gjithnjë të qartë se temë diskutimi sovraniteti dhe sistemi kushtetues i Kosovës.
Myzejene Selmani, në emër të KKR-ës tha se me këtë informatë po krijohet një traditë e mirë e komunikimit të Qeverisë me Kuvendin për bisedimet me Serbinë. Në këtë proces duhet të kontribuojnë edhe deputetët me idetë e tyre drejt arritjes së një paqeje të përhershme. Ajo foli edhe për temat për të cilat duhet të bisedohet me Serbinë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se janë shumë arsye që na shtyjnë për bisedime për krijimin e një relacioni normal me Serbinë. Në radhë të para kjo varet nga ana historike e gjeografike. Përkundër luftës dhe intervenimit të Aleancës në Kosovë,megjithatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka mbetur një konflikt i hapur."Kemi përgjegjësi të përmbyllim këtë konflikt që vazhdon tash e 100 vjet". Kosova kufizohet me Serbinë, ndaj duhet të ketë relacion normal ndërmjet këtyre dy shteteve, ndërsa dialogu do të ketë si fryt edhe integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare,theksoi z. Hoxhaj.
Deputetëve pastaj iu drejtua edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili theksoi se dialogu është kërkesë edhe e faktorit ndërkombëtar, ndërsa akterët janë identifikuar si subjekte. Rezoluta ia ka dhënë legjitimitetin Qeverisë së Kosovës deri në përfundim të këtij procesi, mirëpo duhet përcaktuar një afat kohor të bisedimeve, sepse në pafundësi bisedash humb legjitimiteti, theksoi z. Kuçi.
Procesi i bisedimeve ngjalli debat të gjerë e të shumanshëm. Moto e shumicës së diskutuesve ishte që në këtë proces deputetët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë unik, duke ditur edhe mbështetjen e madhe që po u jepet këtyre bisedimeve nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.
Pastaj Kuvendi vazhdoi punën me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë,të cilën para deputetëve e paraqitën ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe kryetari i Komisionit për Shëndetësi , Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fikrim Damka. Pas debatit që u shoqërua edhe me vërejtje e propozime ky Projektligj u miratua në parim.
Në mbledhjen e Kuvendit mori pjesë edhe një delegacion i deputetëve të Libisë, të cilëve emër të deputetëve u uroi mirëseardhje z. Xhavit Haliti.
Seanca vazhdon punën nesër, në orën 10.