Lajmet e fundit
Deputetët Bajrami, Isufi dhe Gashi, pritën sot një delegacion nga Libia
E Enjte, 01.11.2012
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, si dhe kryetari i Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, pritën sot në takim përfaqësuesit e Këshillit të Luftëtarëve të Libisë, Mustafa El Sagezli dhe Khalal Al Fallah.
Fillimisht, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pasi falënderuan delegacionin nga Libia për vizitën e tyre në Kuvend, njoftuan ata lidhur për funksionimin dhe angazhimin e Parlamentit të Kosovës.
Deputetët po ashtu uruan delegacionin libian për ndryshimet demokratike që ka bërë populli i Libisë në vendin e tyre, ndërsa më tej diskutuan edhe për rëndësinë e njohjes së pavarësisë nga Libia, si dhe për vendosjen e një bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet dy vendeve.
Më tej u diskutua edhe për zhvillimet aktuale në Libi, ndërkaq, deputetët e Kuvendit, theksuan se edhe Kosova ka kaluar një fazë të luftës së rëndë, duke shtuar se transformimi nuk ka qenë i lehtë. Po ashtu u tha se kjo është tejkaluar me përkrahje të ndërkombëtarëve dhe tani Kosova është shtet demokratik.
Ata përgëzuan delegacionin libian për përmbytjen e diktaturës në Libi.
Përfaqësues të Këshillit të Luftëtarëve të Libisë pasi i vlerësuan lart të arriturat e Kosovës shfaqën interesimin e tyre për të marrë përvojën nga Kosova në rrugën drejt ndërtimit të institucioneve demokratike, si dhe për krijimin e infrastrukturës juridike.
Kryetari i Këshillit të Luftëtarëve të Libisë, Mustafa El Sagezli, theksoi se Kosovën e sheh si një partnere shumë të rëndësishme, meqë ka kaluar të njëjtat përvoja dhe ka shënuar sukses në periudhën e transformimit.
Me këtë rast delegacioni nga Libia u bëri ftesë deputetëve të Kuvendit që të vizitojnë Libinë në mënyrë që të krijojnë marrëdhënie dypalëshe ndërmjet dy vendeve, duke shtuar se do të vazhdojnë kontributin e tyre në drejtim të njohjes së Pavarësisë së Kosovës.
Gjatë këtij takimi u theksua edhe fakti se Kosova dhe Libia do të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit në të gjitha sferat, ndërsa u diskutua edhe për themelimin e grupit të miqësisë mes dy parlamenteve.