Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi vazhdoi takimet me personalitete të larta britanike
E Mërkure, 31.10.2012
Gjatë vizitës në Londër, delegacioni parlamentar nga Kosova, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, është takuar, pos me kryetarët e të dy dhomave të Parlamentit Britanik, edhe me dhjetëra deputetë dhe lordë.
Nga takimet e sotme, do veçuar tryezën që bashkoi parlamentarët britanikë dhe delegacionin nga Kosova, për të diskutuar hapur dhe miqësisht çështje të ndryshme me interes, si: marrëdhëniet e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, me vendet e rajonit dhe në mënyrë të veçantë, me Serbinë. U diskutua gjithashtu, edhe për zhvillimin ekonomik, për mundësitë e investimeve britanike në Kosovë etj.
Duke folur në këtë tryezë, kryetari Krasniqi kërkoi nga kolegët britanikë, të ndihmojnë në zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, të ndikojnë në procesin e integrimit evropian dhe në anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë. Ai kërkoi gjithashtu prej tyre, që të inkurajojnë bizneset britanike që të investojnë në Kosovë, duke shpjeguar edhe lehtësitë që ka krijuar Kosova për investime.
Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kryetari Krasniqi rikonfirmoi gatishmërinë e Prishtinës për dialog, por ai kërkoi që të ushtrohet ndikim unik i bashkësisë evropiane ndaj Beogradit, për të hequr nga Kosova strukturat e tij, administrative dhe të sigurisë, për të pushuar destruksionin që kaq vite kanë vazhduar t'iu bëjnë institucioneve të Kosovës dhe për t'i lënë qytetarët serbë të lirë, që të marrin në duar fatin e tyre.
Në radhët e anëtarëve të parlamentit Britanik, nga të dyja dhomat, u shqua një interesim i jashtëzakonshëm për Kosovën dhe një miqësi e theksuar.
Në orët e pasdites, delegacioni i Kosovës vizitoi Kuvendin e Londrës, ku u njoftua për organizmin, funksionimin dhe rolin e tij. Delegacioni u prit nga kryetarja e Kuvendit të Londrës, Jennette Armold.
Nesër, delegacioni do të vizitojë Këshillin e Sheffield-it.