Lajmet e fundit
Përfundoi punimet Konferenca për të drejtat e fëmijëve
E Mërkure, 31.10.2012
Në ditën e dytë të Konferencës në temën "Roli i parlamenteve në promovimin dhe monitorimin e të drejtave të fëmijëve", të organizuar nga Zyra e UNICEF-it në Prishtinë dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot në sesionin e pasdites ka folur raportuesja speciale për Kosovën nga Parlamenti Evropian, Urlike Lunacek, e cila fëmijët i ka vlerësuar si minoritetin më të madh e të rrezikuar, që nuk përfaqësohen në parlament. Duke qenë e bindur se fëmijët e Kosovës meritojnë të ardhme të sigurt, kujdes të shtuar familjar dhe shoqëror dhe arsim shumë më cilësor, ajo i ka ftuar institucionet e Kosovës, sidomos deputetët që të miratojnë ligje të mira për fëmijët, që të konsultohen vazhdimisht me shoqatat që merren me të drejtat e fëmijëve, duke u kujdesur që çdo veprim a vendim i Qeverisë të ketë në konsideratë të drejtat dhe interesat e fëmijëve. Ajo me këtë rast u ka përkujtuar parlamentarëve pjesë të Traktatit të Lisbonës që zgjerojnë fuqinë e Parlamentit Evropian për sigurimin e të drejtave të fëmijëve, duke shtuar nevojën që Kosova të veprojë në kuadër të këtyre rregullave edhe pa qenë anëtare e BE-së, sepse në të ardhmen synon anëtarësimin në këtë bashkësi shtetesh, ka thënë Lunacek.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lufti Haziri ka folur për mundësitë dhe përparësitë e procesit të anëtarësimit në BE dhe fondet e IPA-së për të promovuar të drejtat e fëmijëve dhe reformat e përqendruara tek fëmijët. Duke konstatuar faktin se nga një milion e 700 mijë banorët e Kosovës, 600 mijë janë fëmijë, të cilët janë kategori e rrezikuar dhe të cilët i prek më së shumti shkalla shumë e lartë e varfërisë në Kosovë, ka theksuar Haziri , duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë shumë më tepër për kujdesin, arsimimin dhe mbrojtjen e fëmijëve tanë, të cilët ika quajtur resursin më të madh dhe më të vlefshëm të vendit. Ai, ndërkaq, ka pohuar se Kosova nuk vuan për mungesë ligjesh të mira, por heq keq për mosimplementimin e tyre dhe për mungesë strategjish në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Në këtë temë , në sesionin e pasdites, kanë folur edhe Verena Knaus, këshilltare e lartë për politika, zyra e UNICEFit në Bruksel dhe për marrëdhënie me institucionet e BE-së, si dhe Melvin Asin, zv.kryesues i Operacioneve, Zyra e BE-së në Kosovë.
Në sesionin e paradites është elaboruar rëndësia dhe dobia e shumëfishtë e investimeve në fëmijërinë e hershme, e cila i kontribuon ngritjes së potencialit të fëmijëve dhe nga ana tjetër i zvogëlon rreziqet. Folësit, ndërkaq, kanë ofruar shembuj të praktikave të mira të zhvillimit në fëmijëri të hershme nga rajoni, duke i theksuar sfidat me të cilat janë ballafaquar shtetet në procesin e mbështetjes më të madhe për zhvillim në fëmijëri të hershme..
Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Teuta Haxhiu ka theksuar se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe do të duhet të shpenzojë më shumë në arsim sesa fqinjët e saj. Zhvillimi dhe edukimi në fëmijërinë e hershme duhet të jetë pjesë përbërëse e çdo strategjie për zhvillim dhe zbutje të varfërisë; dhe për më tepër, zhvillimi dhe edukimi në fëmijërinë e hershme duhet të jetë pjesë e strategjisë së Kosovës për integrim në BE, ka thënë ajo.
Aktualisht, në Kosovë nuk ka politika gjithëpërfshirëse për zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme e as strategji të bazuara në evidencë për përmirësimin e arritshmërisë së fëmijëve. Por, në shumë strategji, plane kombëtare të veprimit dhe në ligje, Kosova tanimë është zotuar për parimet e zhvillimit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme, ka konstatuar deputetja Haxhiu
Zëvendëskryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ,Time Kadriaj, ka folur për punën që bën ky komision edhe në planin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Ajo ka përmendur rastet e monitorimit të ligjeve që kanë të bëjnë me nënën dhe fëmijën, ndërkaq e ka përshëndetur Ligjin për duhanin që do të shqyrtohet në seancën e nesërme, i cili e ndalon pirjen e duhanit në të gjitha lokalet publike dhe afariste.
Interesimin më të madh në këtë sesion e ka zgjuar ekspozeja e profesoreshës nga Universiteti Yale , Pia Britto, eksperte për zhvillimin në fëmijëri të hershme. Në mungesë të autores (për shkak të anulimit të fluturimeve për shkak të tornados), punimin e saj e të titulluar " Evropainët më të rinj: fëmijëria e hershme në Kosovë" e ka prezantuar znj. Afërdita Spahiu, specialiste në Ministrinë e Arsimit, e cila edhe e ka moderuar këtë sesion. Në këtë punim janë argumentuar konstatime shkencore se investimet në fëmijërinë e hershme ( para lindjes e deri në tetë vjeçare ) shpaguhen shumëfish e në progresion të zhdrejtë. Aty pohohet se investimet e hershme pakësojnë investimet e mëvonshme, i hapin rrugë suksesit dhe pakësojnë rreziqet për punë e për jetë.
Për organizimin e arsimit në Kosovë, në të gjitha nivelet, përfshirjen e fëmijëve në kopshte, në çerdhe dhe në arsimin parafillor dhe fillor ka folur këshilltarja politike në Ministrinë e Arsimit, Drita Kadriu, e cila konferencës ia ka përcjellë përshëndetjet e ministrit Ramë Buja.
Për përvojat e Maqedonisë për investimet në fëmijërinë e hershme kanë folu Darka Petrushevsaka, nga Ministria e Arsimit e këtij vendi dhe Nora Shabani, specialiste për Zhvillimin në Fëmijëri të Hershme, në Zyrën e UNICEF-it në Maqedoni.
Gjatë dy ditëve të Konferencës janë zhvilluar debate në temat e shtruara edhe nga pjesëmarrës të tjerë të këtij takimi.