Lajmet e fundit
Filloi në Prishtinë Konferenca për të drejtat e fëmijëve
E Marte, 30.10.2012
Organizuar nga Zyra e UNICEF-it në Prishtinë dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës sot filloi punimet Konferenca dyditore në temën "Roli i Parlamenteve në Promovimin dhe monitorimin e të drejtave të fëmijëve" . Qëllimi i konferencës është këmbimi i informatave dhe i përvojave të cilat do të ndihmojnë parlamentarët rreth të drejtave të fëmijëve, që janë të domosdoshme për të realizuar përgjegjësitë e tyre si parlamentarë. Konferenca organizohet në pajtim me planin të punës për 2012 -2013, të dakorduar ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe UNICEF-it, e duke i kontribuuar, kësisoj, rolit përmbajtjesor të Kuvendit të Kosovës në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve gjatë analizës dhe shqyrtimit të projektligjeve, monitorimit dhe zbatimit të politikave dhe strategjive, si dhe miratimit dhe monitorimit të buxhetit. Pos deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të UNICEF-it në Prishtinë, në New York dhe në Bruksel në këtë konferencë merrnin pjesë edhe përfaqësues të mekanizmave mbështetës të Kuvendit, zyrtar të administratës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Fjalë hyrëse në këtë konferencë kanë mbajtur Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, Laila Omar Gad, udhëheqëse e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe Suzana Novoberdali, kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Një prezantim e ka pasur edhe Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisonit Parlamentar për Buxhet dhe Financa , kurse e ka moderuar David Ponet, specialist i UNICEF-it për punë me Parlamente.
Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë konferencë, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka theksuar se parlamentarët kanë rol udhëheqës në zhvillimin e politikave të qëndrueshme, efektive dhe financiarisht të mbështetura, sidomos që përfshijnë fëmijët e të gjitha grupmoshave e në veçanti nga radhët e grupeve më të ndjeshme dhe të margjinalizuara të shoqërisë. Ai ka pohuar se Kuvendi i Kosovës është angazhuar seriozisht për realizimin e tetë objektivave zhvillimore të Deklaratës së Mileniumit dhe të Rezolutës së Kuvendit (të 17 tetorit 2008) si dhe të Letrës së Bardhë për përfshirjen sociale. Në harmoni me këto dokumente, ka thënë ai, janë miratuar edhe një varg ligjesh të cilat drejtpërdrejt kontribuojnë në avancimin e pozitës së fëmijëve në Kosovë. Kuvendi është duke treguar përparim në shumë sfera të punës së tij, duke përmendur këtu edhe Agjendën për përfshirje sociale të Bashkimit Evropian dhe proceset zhvillimore të cilat e drejtojnë Kosovën më afër familjes evropiane.
Ai është shprehur i bindur se kjo konferencë do t'u ofrojë mundësinë deputetëve që të diskutojnë dhe të reflektojmë mbi mekanizmat ekzistues të Kuvendit që trajtojnë të drejtat e fëmijëve, si dhe të kontribuojnë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve gjatë analizës dhe shqyrtimit të projektligjeve, monitorimit dhe zbatimit të politikave dhe strategjive, si dhe miratimit dhe monitorimit të buxhetit.
" 34 për qind të popullsisë së Kosovës e përbëjnë fëmijët, prandaj investimi në fëmijët e Kosovës është investimi më i mirë për ardhmërinë e vendit", ka theksuar Laila Omar Gad, udhëheqëse e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. Duke përkujtuar interesin e Kosovës për integrime evropiane, ajo ka pohuar se krijimi i një ambienti mbrojtës për të drejtat e fëmijëve vetëm sa e përshpejtojë lëvizjen e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së . Ajo ka theksuar se çdo vendim i Qeverisë dhe çdo akt ligjor i Kuvendit duhet ta ketë parasysh edhe ndikimin që do të ketë në planin e realizimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, konform Konventës Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione , Suzana Novoberdali, ka prezantuar fakte jo fort inkurajuese për standardin e shumicës së popullit të Kosovës, e sidomos të fëmijëve. Ajo ka pohuar se Kosova ka normën më të lartë të varfërisë në Evropë (34 për qind varfëri absolute dhe 12 për qind varfëri ekstreme), me mbi 40 për qind papunësi ( tek të rinjtë deri në 73 për qind) dhe me jetëgjatësinë mesatare për 11 vjet më të shkurtë se mesatarja e popullsisë së vendeve të BE-së. Ajo ka vënë në spikamë dëmtimin e fëmijëve nga duhanpirësit, që e zënë vendin e dytë në botë ( për cigare të pira), duke konstatuar se 21 për qind e grave shtatzëna konsumojnë duhan gjatë shtatzënisë, e duke shtuar se rreth 54 për qind e të porsalindurve u ekspozohen tymit të duhanit. Novobërdali ka ngritur shqetësimin e saj edhe për programet joadekuate televizive, të cilat i përcjellin fëmijët dhe qasjen e pakontrolluar të tyre në internet, që gjithashtu i dëmton ata.
Specialisti i UNICEF-it për punë me Parlamente. David Ponet, ka folur për praktikat më të mira të vendeve të ndryshme të botës për krijimin dhe realizimin e politikave efektive për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe fuqizimin e parlamenteve nacionale për këto politika. Ai ka theksuar se Kuvendi duhet ta mbajë përgjegjëse Qeverinë jo vetë për politikat e saj për të drejtat e fëmijëve, por edhe për buxhetimin e tyre, për të pasur sukses. " Çdo pjesë e legjislacionit duhet të jetë miqësore me fëmijët, ka theksuar Ponet, duke shtuar se fëmijët janë kreativë dhe se duhen implikuar në të gjitha proceset politikëbërëse për ta. Ai ka prezantuar një varg shembujsh të mirë nga vende të ndryshme të botës si, Kirgizia, Vietnami, Peruja, Filipinet, Gjermania, Brazili etj, që kanë të bëjnë me ligjet për të drejtat e fëmijëve, për politikat qeveritare në këtë fushë dhe për buxhetimin e tyre.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka mbajtur një ekspoze për rolin e Parlamentit për buxhetin dhe alokimet e nevojshme buxhetore në dobi të fëmijëve, duke u përqendruar në hapat konkret që janë bërë në tri fusha: në arsim, shëndetësi, në mbrojtjen sociale, të cilat ka pohuar ajo, kanë reflektuar në mirëqenien e fëmijëve investimet e bëra projektet kapitale.
Ajo ka pohuar se Kosova ende nuk ka sistem të buxhetimit social për çështje gjinore, të fëmijëve dhe grupmoshave të ndryshme, por përfitimi i këtyre kategorive është i përfshirë në brendinë e programeve prioritare që financohen nga buxheti. Deputetja ka theksuar se buxheti i Republikës së Kosovës i ndarë për ministritë reflekton në mirëqenien e fëmijëve, duke i përmendur në këtë mes: Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), me programet buxhetore për edukimin parashkollor, arsimin fillor, arsimin e mesëm, arsimin për nevoja të veçanta kanë efekte të drejtpërdrejta tek fëmijët; Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) me programet buxhetore: për kujdesin primar shëndetësor, kujdesin dytësor dhe tretësor, si dhe Ministrinë e Punës, dhe Mirëqenjes Sociale (MPMS), me programet buxhetore për ngritjen e mirëqenies dhe mbështetjen e familjeve, përmes ofrimit të ndihmave sociale dhe shërbimeve sociale për kategoritë e rrezikuara ku përfitues kryesor janë fëmijët.
Konferenca i vazhdon punimet nesër, kur pritet të flasë edhe Urlike Lunacek, raportuese speciale për Kosovën në Parlamenti Evropian.