Lajmet e fundit
Fjalë e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Z.Xhavit Haliti, me rastin e mbajtjes së Konferencës
E Marte, 30.10.2012
Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar, ministra, zëvendësministra,
Të nderuar mysafirë të ftuar vendorë dhe ndërkombëtarë,
Të nderuar partnerë zhvillimorë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Kuvendit dhe në emrin tim personal të bëj hapjen e kësaj konference me temën:
"Roli i parlamenteve në promovimin dhe monitorimin e të drejtave të fëmijëve".
Njëherësh, ju uroj mirëseardhje të gjithëve në këtë konferencë e cila organizohet në bashkëpunim të ngushtë me UNICEFin , një ndër partnerët zhvillimorë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e agjencive të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë.
Si kudo në botë, parlamentet dhe deputetët e tyre janë padyshim aktorët kryesorë në promovimin dhe sigurimin e realizimit të të drejtave të fëmijëve. Parlamentarët kanë rol udhëheqës në zhvillimin e politikave të qëndrueshme, efektive dhe financiarisht të mbështetura, sidomos që përfshijnë fëmijët e të gjitha grupmoshave e në veçanti nga radhët e grupeve më të ndjeshme dhe të margjinalizuara të shoqërisë. Prandaj, si parlamentarë mund të bëjmë pyetje të vështira dhe të mbajmë qeveritarët të përgjegjshëm ndaj obligimeve që i kanë për të siguruar fëmijët që të gëzojnë të drejtat e tyre që nga mosha më e hershme e tyre.
Kosova si shtet i ri dhe Institucioni më i lartë i tij - Kuvendi i Kosovës, si çdo vend i përparuar dhe demokratik, konfirmon përkushtimin drejt realizimit të të drejtave të fëmijëve. Përgjegjësitë tona janë të percaktuara edhe në aktin më të lartë juridik pra, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe i referohet implementimit të Konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve të definuara në nenin 22 pika (7) dhe nenin 50 me të cilin si shtet obligohemi që të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët të ndërmarra qoftë nga institucionet e shtetërore, apo private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.
Kuvendi i Kosovës, jemi të angazhuar në realizimin e tetë objektivave zhvillimore të Deklaratës së Mileniumit dhe të Rezolutës së Kuvendit, të 17 tetorit 2008 si dhe të Letrës së Bardhë për përfshirjen sociale. Në harmoni me këto dokumente janë miratuar edhe një varg ligjesh të cilat drejtpërdrejt kontribuojnë në avancimin e pozitës së fëmijëve në Kosovë. Kuvendi është duke treguar përparim në shumë sfera të punës së tij, duke përmendur këtu edhe Agjendën për përfshirje sociale të Bashkimit Evropian dhe proceset zhvillimore të cilat e drejtojnë Kosovën më afër familjes evropiane.
Këtë vit, me rastin e 1 qershorit, ditës ndërkombëtare të fëmijëve, Kuvendi i Kosovës për herë të parë ka mbajtur seancë të veçantë parlamentare për të reflektuar lidhur me pozitën e fëmijëve në Kosovë. Si rrjedhojë, janë miratuar një varg rekomandimesh për të cilat besoj do të flasë më shumë kryetarja e Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore persona të pagjetur dhe peticione Zj.Suzana Novoberdali.
Megjithatë, për të siguruar mirëqenie të plotë të fëmijëve duhet një çasje më e veçantë dhe gjitpërfshirëse. Komisionet parlamentare sidomos ato të cilat trajtojnë të drejta të njeriut, barazinë gjinore, integrim evropian, shëndetësinë, punën dhe mirëqenie sociale, arsimin, shkencën, teknologjinë, kulturë, rininë dhe buxhetin do të duhej në të ardhmen të ndërveprojnë më afër gjatë trajtimit të ligjeve dhe çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme dhe pozitën e përgjithshme të fëmijëve në Kosovë.
Si deputetë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat e ndryshme me të cilat ballafaqohemi për të përmbushur mandatin tonë. Diskutimet që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve besoj se do të kontribuojnë drejt inicimit të një kornize të veprimit për Kuvendin e Kosovës se si të fuqizohen dhe avancohen më tutje kapacitetet dhe funksionet legjislative, ato mbikëqyrëse të ekzekutivit, përfshirë edhe alokimin e buxhetit për fëmijët bazuar në nevojat dhe të drejtat e tyre.
Është a padiskutueshme se edhe pas 12 viteve të mbarimit të luftës në Kosovë niveli i varfërisë në Kosovë është i lartë dhe i papranueshëm ku një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve në Kosovë përjetojnë varfërinë apo edhe rriten në familje të varfra që në vitet e tyre të hershme. Kjo përbën një nga sfidat më serioze zhvillimore të institucioneve dhe shoqërisë sonë, edhepse janë shënuar rezultate por mbetet edhe shumë për të bërë. Ndërhyrja e hershme për fëmijët në rrezik është një nga strategjitë më efektive për të promovuar të drejtat e fëmijëve, për të ngushtuar boshllëqet midis grupeve shoqërore dhe për të avancuar barazinë për fëmijët dhe për shoqërinë në tërësi.
Prandaj, kjo konferencë do të na ofrojë mundësinë që të diskutojmë, reflektojmë mbi mekanizmat egzistues të Kuvendit që trajtojnë të drejtat e fëmijëve. Poashtu, do të jetë një një mundësi e mirë që bashkërisht të identifikojmë mekanizmat e brendshëm që do të kontribuonin edhe më fuqishëm në rolin përmbajtësor të Kuvendit të Kosovës në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve gjatë analizës dhe shqyrtimit të projektligjeve, monitorimit dhe zbatimit të politikave dhe strategjive, si dhe miratimit dhe monitorimit të buxhetit.
Unë inkurajoj secilin prej jush e në veçanti deputetët, që të kontribuojnë me kapacitetin individual dhe profesional për ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme nëpërmjet të mjeteve institucionale, të marrë udhëheqje dhe iniciativë, të reflektojë në lidhje me përgjegjësinë personale dhe institucionale, sepse ne jemi këtu që të sigurojmë progres sidomos për pjesëtarët më të rinj të shoqërisë sonë - fëmijët. Duke i perfaqësuar interesin më të lartë të femijëve dhe duke u përqendruar në qëllime zhvillimore, ne do të përmirësojmë jetën e secilit prej tyre dhe do të mundësojmë krijimin e kapitalit njerëzor që do të jenë të dobishëm për shoqërinë si në vend ashtu edhe në nivel global.
Uroj që kjo konferencë të sintetizojë njohuri dhe ekspertizë të re për t'u kontribuuar qëllimeve të paraqitura, e që janë të lidhura ngushtë me perspektivën zhvillimore të Kosovës me theks të veçantë tek fëmijët.
Së fundi, dua të falënderoj UNICEF-in, zyren në Kosovë, për mbështetjen dhe më lejoni t'i jap fjalën Zonjës Laila Omar Gad, Udhëheqëse e zyrës së UNICEFit në Kosovë që të mbajë një fjalë hyrëse.
Ju faleminderit.