Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 29.10.2012
Komisioni për Legjislacion mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale. Në këtë takim të pranishëm ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit, Institutit Gjyqësor të Kosovës, Avokatit të Popullit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Fillimisht kryetari i komisionit, Arben Gashi, duke përmendur diskutimet dhe vërejtjet të cilat janë zhvilluar rreth këtij projektligji tha se bazuar edhe në diskutimet që pasojnë gjatë këtij dëgjimi publik, projektligji do të përmirësohet dhe plotësohet, në mënyrë që ligji të jetë sa më i zbatueshëm, meqë, shtoi Gashi, ky ligj rregullon fushën shumë specifike, konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale.
Tutje, kryetari i komisionit tha se ka pasur edhe dilema nëse ligji duhet të emërtohet si ligji për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, apo ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Më tej ai foli edhe për çështjen e barrës së provës, ndërkaq, theksoi edhe dilemat se pse është dashur të ekzistojë një ligj i veçantë, meqë këto çështje dhe institutet, ka pasur mundësi të jenë të përfshira në Kodin Penal, si dhe në Kodin e Procedurës Penale.
Ai tha se ekziston një vullnet që të arrihet objektivi i qartë i luftimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, ndërsa shtoi se ky projektligj duhet të përmirësohet, pa qëllime politike.
Me këtë rast zv/kryeministri Kuçi gjatë diskutimit të tij tha se ky ligj nuk ka qëllim politik, por ka qëllim kryekëput forcimin e rendit juridik në Kosovë. Ai tha se pranon çdo sugjerim dhe plotësim të anëtarëve të komisionit ndërkaq shtoi se Ministria e Drejtësisë do të jap në vazhdimësi kontributin e saj edhe në komisionin parlamentar .
Tutje, ai shtoi se ky ligj nuk e rëndon askënd që nuk ka bërë veprime të kundërligjshme ndërsa MD-ja mbështetë sugjerimet edhe të shoqërisë civile, në mënyrë që ligji të jetë i zbatueshëm nga prokuroria dhe policia.
Përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit theksuan se mbështesin në tërësi këtë projektligj, duke shtuar se "ky projektligj është më i miri i mundshëm, për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale".
Ndërkaq, përfaqësues të organizatës "Çohu" si dhe të Lëvizjes "Fol" theksuan se ky projektligj nuk është ligj për luftimin e këtij fenomeni dhe nuk është aspak efektiv në luftimin e kësaj dukurie, duke kërkuar sqarime të ndryshme nga ministri Kuçi. Po ashtu u kërkua që të ndryshojë edhe emërtimi i ligjit e më pastaj edhe procedurat tjera. U tha se duhet të behët një ligj i cili u përshtatet standardeve tona , e jo atyre ndërkombëtare.
Ndërkaq, anëtarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se Projektligji i cili është sjellë nga Ministria e Drejtësisë nuk e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, por e amniston atë.
Ajo tha se Projektligji është shumë i mangët për të përmirësuar funksionimin më të mirë të sistemit të drejtësisë , të konfiskimit të pasurisë të fituar në mënyrë të kundërligjshme dhe se në këtë mënyrë ky ligj do t'i bëjë shumë dëm vendit se sa mund të shërbejë në luftën kundër krimit të organizuar. Tutje, Haxhiu tha se ligji i titulluar në këtë mënyrë e kufizon maksimalisht hapësirën për hetime dhe konfiskim, ndërkaq, sa i përket përcaktimi të afatit kohor për krimin, tha se ky ligj shton problemin edhe në kufizimin e hetimeve të prokurorisë,
Anëtari i komisionit, Arsim Bajrami, duke theksuar se e mbështetë vullnetin politik të qeverisë për draftimin e këtij ligji, tha se ky ligj është i domosdoshëm për shoqërinë në tranzicion dhe se duhet të kemi parasysh edhe standardet ndërkombëtare, duke shtuar më tej që të mos bëhet fushatë politike përmes këtij projektligji.
Anëtari i Komisionit, Armend Zemaj, tha mes tjerash se ky projektligj është hallkë e domosdoshme dhe e dobishme në luftimin e kësaj dukurie, ndërsa Haki Demolli, tha se ky ligj nuk mund ta realizojë qëllimin që ka shoqëria kosovare , ndërsa, shtoi në këtë fazë të punës së komisionit, projektligji duhet të jetë më preciz , më i qartë dhe më i kuptueshëm, në mënyrë që të bëhet i zbatueshëm. Ai tha se vetëm në rast se do të ketë përmirësime përmbajtësore do të jetë në përkrahje të projektligjit.